“Të shkojë të kontrollohet” – Lushtaku i kundërpërgjigjet Lladrovcit, e quan person me probleme psikike
Përplasja mes figurave të njohura politike në Drenas, Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci, është intensifikuar pas deklaratave të fundit të dhëna në media. Të martën, në një intervistë televizive, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, hodhi një sërë akuzash ndaj nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, duke sugjeruar se ky i fundit ka ambicie për të qeverisur…

Lajme
Përplasja mes figurave të njohura politike në Drenas, Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci, është intensifikuar pas deklaratave të fundit të dhëna në media.
Të martën, në një intervistë televizive, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, hodhi një sërë akuzash ndaj nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, duke sugjeruar se ky i fundit ka ambicie për të qeverisur me Drenasin dhe se mban inat ndaj tij.
“Samia nuk po mund të dal prej inati”, tha Lladrovci, duke shtuar se përplasja e tyre ka nisur disa vite më parë, për shkak të një prone në Drenas që Lushtaku pretendonte se ishte në emër të tij. Sipas Lladrovcit, ndërtimet në këtë pronë ishin ndaluar, pasi ajo nuk ishte në emër të Lushtakut.
“Shumë ku ia kam prishur qefin unë, Samiut. Por, më së shumti qefin ia kam prishur në një rast kur ai ka dashur të punojë në një pronë të cilën fare nuk e ka në emër të vet, por e ka në emër të një miku të vëllait të tij”, tha Lladrovci. Ai shtoi se prona ndodhet në rrjedhën e kanalit të Ibër-Lepencit dhe se, sipas ligjit, ndërtimi aty nuk lejohet.
Në reagim ndaj këtyre akuzave, Sami Lushtaku dha një deklaratë të shkurtër për FrontOnline, ku tha se nuk dëshiron të merret me kryetarin e Drenasit.
“S’merrem me njerëz që kanë probleme psikike. Më mirë është ai të shkojë të kontrollohet. Nuk merrem me të”, deklaroi Lushtaku.
Përplasja mes dy figurave të njohura të PDK-së duket se ka marrë një drejtim gjithnjë e më personal, me akuza të ndërsjella që thellojnë përçarjen brenda skenës politike lokale.