Lladrovci i kundërpërgjigjet Kurtit: Hashimi me shokë e krijuan historinë e re të Kosovës, jeta ime u gërshetua me Sami Lushtakun

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë mbrëmë se nuk bëjnë koalicion me PDK-në. Kurti tha se PDK-ja nuk është reformuar sepse sipas tij ka katër apo pesë kryetarë. Madje, ai involvoi edhe dy ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli që po gjykohen në Hagë që 5 vjet. Por, Kurti thotë…

Lajme

03/07/2025 11:32

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë mbrëmë se nuk bëjnë koalicion me PDK-në.

Kurti tha se PDK-ja nuk është reformuar sepse sipas tij ka katër apo pesë kryetarë.

Madje, ai involvoi edhe dy ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli që po gjykohen në Hagë që 5 vjet.

Por, Kurti thotë se PDK-ja konsultohet akoma me ta. Rrjedhimisht thotë se nuk mund të ketë koalicion.

“PDK nuk e di a i ka 4 apo 5 kryetarë, por jam i sigurt që nuk i ka 3, 2 e as 1. PDK e di prej përvojës është një shoqëri aksionare me papërgjegjësi pakufizuara dhe aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër, prandaj e patë çfarë tha kryetari Drenasit Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputetit të PDK-së. Janë dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”, ka thënë Kurti

Ky deklarim ka bërë që sot, Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit të reagojë, i cili tha se mungesa e liderëve nuk është as e ndershme e as njerëzore të bëhet pjesë e diskutimit dhe narrativës ditore politike, aq më pak e fërkimeve pozitë-opozitë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lladrovci ka thënë se ish-presidenti Thaçi, me shokë e krijuan historinë e re të Kosovës, histori që trashëgoi rrugën e Skënderbeut dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

“Beteja lokale politike në Drenas as nuk e pasqyron as prezanton mosbesimin ndaj liderit të PDK-së, Memli Krasniqit. Për më keq, keqpërdorimi i kontekstit të mesazheve të mia politike me qëllim të lëndimit të PDK-së nga ana e deputetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është mjerim. Ai përzgjodhi çfarë i pëlqeu në intervistën time dhe heshtë për kritikat e mia ndaj qeverisjes së tij dhe dëmet që ai po ia bën shtetit”, ka thënë Lladrovci.

Tutje i pari i Drenasit ka theksuar se beteja për drejtësi po vijon në Hagë, derisa pret që heronjtë e luftës dhe paqes të kthehen të pafajshëm.

“Ndërsa ajo betejë titanike, është e turpshme të keqpërdoret për hesapet e politikës aktuale, aq më pak të merren nëpër gojë nga ai që e kishte besimin e shumicës së qytetarëve, ndërsa tashmë e ka humbur”, theksoi Lladrovci.

Po ashtu ai foli edhe për raportet me Sami Lushtakun ku tha se jeta e tij është e gërshetuar me Sami Lushtakun gati 35 vjet dhe asgjë nuk heq nga ajo, “raportet tona, fare nuk ndikojnë në rezultatet shembullore të PDK-së në Drenas e Skenderaj e as në nivelin qendror”.

“Memli Krasniqi, si kryetar deri më tani ka dëshmuar se është personalitet i kontinuitetit, unitetit dhe fitoreve. Po të mundja, çdo ditë do t’i takoja heronjtë e luftës dhe paqes, sepse do të flisja me historinë”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/