Kanye West nuk mund të hyjë më në Australi për shkak të këngës për Hitlerin

Ministri i Brendshëm i Australisë, Tony Burke, ka konfirmuar të mërkurën se reperit amerikan Kanye West, i njohur gjithashtu si Ye, i është anuluar viza dhe i është ndaluar hyrja në vend, pas publikimit të këngës së tij të re të titulluar “Heil Hitler”, e cila sipas autoriteteve australiane promovon hapur ideologjinë naziste dhe glorifikon…

ShowBiz

03/07/2025 08:56

Ministri i Brendshëm i Australisë, Tony Burke, ka konfirmuar të mërkurën se reperit amerikan Kanye West, i njohur gjithashtu si Ye, i është anuluar viza dhe i është ndaluar hyrja në vend, pas publikimit të këngës së tij të re të titulluar “Heil Hitler”, e cila sipas autoriteteve australiane promovon hapur ideologjinë naziste dhe glorifikon Adolf Hitlerin.

Kënga, e cila u publikua në fillim të muajit maj, erdhi pas një sërë deklaratash antisemite të West-it në rrjetet sociale, përfshirë fraza si “E dua Hitlerin” dhe “Jam nazist”, të cilat më parë i kishte ndarë në platformën X (ish-Twitter).

Edhe pse deklaratat e mëhershme nuk kishin sjellë ndonjë ndalim konkret, autoritetet australiane ndërhynë pas publikimit të këngës kontroverse. Në një intervistë për ABC News, ministri Burke deklaroi: “Nëse dikush pretendon se antisemitizmi është një ide e arsyeshme, nuk ka pse të hyjë në vendin tonë. Kanye ka ardhur më parë në Australi dhe ka bërë komente fyese, por pas publikimit të ‘Heil Hitler’, zyrtarët e mi rishqyrtuan rastin dhe vendosën se ai nuk duhet të ketë më vizë valide”.

Burke sqaroi se bëhej fjalë për një vizë të nivelit më të ulët, por theksoi se ligji australian është i qartë: “Nëse promovon nazizmin përmes muzikës – nuk je i mirëpritur këtu. Kemi mjaftueshëm probleme të brendshme – nuk kemi nevojë të importojmë edhe urrejtje të planifikuar”.

Ministri nuk dha një datë të saktë kur u anulua viza e reperit, ndërsa ekipi i Kanye West-it nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtij vendimi. Gjithashtu, nuk është bërë e qartë nëse ndalimi është i përhershëm apo i përkohshëm.

Megjithë reagimet e forta dhe dënimin publik ndërkombëtar, kënga “Heil Hitler” ka arritur miliona klikime brenda pak ditësh nga publikimi. Në përpjekje për të zbutur reagimet, Kanye publikoi më pas një version të modifikuar të këngës me titull “Hallelujah”, ku referencat naziste u zëvendësuan me motive të krishtera.

Ky rast ka ndezur sërish debatet globale për kufijtë mes artit, lirisë së shprehjes dhe promovimit të urrejtjes.

YouTube player