KDI: Kushtetuesja foli dje, Kuvendi duhet të konstituohet përmes një marrëveshjeje politike

Organizata të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar tash e dy muaj, si pasojë e moskonsituimit të Kuvendit. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kuvendi duhet të konstitutuohet përmes një marrëveshje politike. “Partia fituese ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e…

Lajme

27/06/2025 16:26

Organizata të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar tash e dy muaj, si pasojë e moskonsituimit të Kuvendit.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kuvendi duhet të konstitutuohet përmes një marrëveshje politike.

“Partia fituese ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë është njëkohësisht edhe detyrim për të bashkëpunuar me grupet e tjera parlamentare në mënyrë konstruktive, për të siguruar shumicën e nevojshme. Kjo e drejtë në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret si instrument për të mbajtur Kuvendin të bllokuar”, thuhet në reagim.

KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin që publikoi dje, e bëri të qartë se votimi për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit duhet të jetë i hapur.

“Gjykata po ashtu e bëri të qartë se votimi duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë gjithmonë në seancat konstituive të mëparshme. Rendi i ditës i përcaktuar në Rregullore duhet të respektohet me përpikmëri nga Kryesuesi i seancës, ndërsa Kuvendi ka obligim të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor”.

Sipas kësaj organizate, çdo ditë pa institucione funksionale është dëm për ekonominë, demokracinë dhe besimin qytetar.

“Prandaj, koha për përgjegjësi është tani. E konsensusi politik nuk është më çështje vullneti, por domosdoshmëri për të dalë nga kjo krizë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, partitë janë pajtuar për ndërprerjen e seancës së sotme, në mënyrë që ajo të vazhdojë pas takimit të ftuar nga kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, me liderët e partive tjera.