Bajrami: Takimi i nesërm me Kurtin për show mediatik, do të jemi prezentë
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami deklaroi se do të jenë prezentë në takimin e nesërm të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Megjithatë, ajo tha se nuk kanë pritje nga ky takim, meqë theksoi se është më shumë për “show mediatik”. Pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht u mbajt…

Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami deklaroi se do të jenë prezentë në takimin e nesërm të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Megjithatë, ajo tha se nuk kanë pritje nga ky takim, meqë theksoi se është më shumë për “show mediatik”.
Pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht u mbajt një takim konsultativ me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, Bajrami tha se do të shkojnë në takimin me Kurtin për të treguar se janë për konstituim të institucioneve.
“Nuk është që kemi shumë pritje duke marrë parasysh komplet të kaluarën historike të LVV-së dhe krejt sjelljet e tyre konferencën për media nuk është që mund të presim diçka nga ky takim. Është më shumë për show mediatik. Megjithatë për të treguar që jemi për konstituim të institucioneve do të jemi prezent”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së tha se LVV po bën interpretim ndryshe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kemi parë edhe prononcimet e ndryshme nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët e kanë në plan ta vazhdojnë këtë ngërç duke e bërë një interpretim ndryshe nga krejt Kosova të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Se sa zotëri Kurti është i gatshëm për bashkëpunim, unë po besoj që patët mundësi ta shihni vetëm para dy minutave, kur ishte këtu në sallën plenare dhe nuk ishte në gjendje që të vie në takim konsultativ me të gjithë liderët e partive politike parlamentare. Aktgjykimi është jashtëzakonisht i qartë kur është fjala tek mënyra e votimit sepse i referohet kreut të katërt të rregullores së kuvendit, pikërisht nenit 8 ku ka një agjendë të paracaktuar të seancës konstituive dhe aktgjykimi pikërisht i referohet nenit 8 të rregullores së Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ajo.
Ajo tha se kryetari i Kuvendit duhet të votohet me marrëveshje politike dhe nuk kanë votë për asnjë kandidat të LVV-së.