“Kam lindur milioner” – Kjo është pasuria e deklaruar nga Veton Berisha në vitin 2021

Deputeti egjiptian, Veton Berisha mbrëmë ka folur në lidhje me pasurinë e tij “milionëshe” të cilën ka thënë se e ka të trashëguar, pasi sipas tij ai ka lindur milioner. “Unë kam lindur milioner. Vij nga fshati Qyshk, jam nipi i Ukë Sallah Berishës, që njihet gjerësisht në atë zonë. Jetoj në një vend ku…

Lajme

26/06/2025 09:40

Deputeti egjiptian, Veton Berisha mbrëmë ka folur në lidhje me pasurinë e tij “milionëshe” të cilën ka thënë se e ka të trashëguar, pasi sipas tij ai ka lindur milioner.

“Unë kam lindur milioner. Vij nga fshati Qyshk, jam nipi i Ukë Sallah Berishës, që njihet gjerësisht në atë zonë. Jetoj në një vend ku kemi rreth 5 hektarë tokë me vlerë të konsiderueshme – dhe unë nuk mund të ndryshoj këtë fakt. E kam deklaruar të gjithë pasurinë time në formularët zyrtarë,” tha Berisha në TëVë1.

Ai gjithashtu përmendi se bashkëshortja e tij punon si gjinekologe prej disa vitesh dhe se shumica e familjarëve të tij janë të punësuar jashtë vendit.

“Unë vetë punoj që nga viti 2008, dhe gjatë gjithë kësaj kohe është normale që kam blerë banesë dhe gjëra të tjera. Të gjitha i kam të deklaruara sipas rregullave ligjore,”shtoi ai.

Por, çka ka deklaruar ai në deklarimin e pasurisë të vitit 2021?

Tek pasuria e paluajtshme, Berisha ka deklaruar 4 toka, shtëpi banimi e shtëpi të pabanuara, pishinë publikë, dy banesa e një garazhë.

Asnjërën nga këto prona ai nuk i ka deklaruar në emër personal të tij, por disa në emër të prindit e disa të përbashkëta.

Këto prona kapin vlerën e 1 milion e 52 mijë 990 euro.

Tek pasuria e luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Mercedes E200 në vlerë prej 8500 eurove të cilën ka thënë se e ka dhuratë nga vëllai, ndërsa një veturë Golf V në vlerë prej 4900 eurove në pronësi të bashkëshortes e të cilën ka thënë se e ka blerë nga kursimet.

Si para të gatshme ai ka deklaruar vetëm 650 euro në pronësi të tij, ndërsa më shumë se 1 mijë euro në pronësi të bashkëshortes.

Ai gjithashtu ka deklaruar se ka kredi dhe borxhe afro 50 mijë euro, deklarime këto të vitit 2021.

Nga të dhënat e vitit 2021, Berisha ka thënë se nga Kuvendi i Kosovës ka marrë pagë vjetore dhe mëditje afro 22 mijë euro ndërsa gruaja e tij ka marrë pagë nga QKUK 586 euro. Që të dy, ai dhe bashkëshortja kanë deklaruar 10% e Trustit të cilin e kanë marrë në vitin 2021 e që për të dy kapin vlerën e rreth 3 mijë e 200 eurove.

Berisha nuk ka qenë deputet në legjislaturën e kaluar prandaj edhe nuk ka deklaruar pasurinë e tij në vitin 2025.

Ai është rizgjedhur deputet këtë legjislaturë. /Lajmi.net/