​DASH: Amerikanët e bllokuar në Iran të përgatiten që të strehohen për periudha të gjata

Amerikanët që nuk janë në gjendje të largohen nga Irani duhet të jenë të përgatitur të strehohen në vend për periudha të gjata, paralajmëroi sot Departamenti i Shtetit. Në udhëzimet e përditësuara pas sulmit amerikan ndaj caqeve bërthamore iraniane, Departamenti tha se “qytetarët amerikanë që kërkojnë largim duhet të përfitojnë nga mjetet ekzistuese për t’u…

Bota

22/06/2025 17:16

Amerikanët që nuk janë në gjendje të largohen nga Irani duhet të jenë të përgatitur të strehohen në vend për periudha të gjata, paralajmëroi sot Departamenti i Shtetit.

Në udhëzimet e përditësuara pas sulmit amerikan ndaj caqeve bërthamore iraniane, Departamenti tha se “qytetarët amerikanë që kërkojnë largim duhet të përfitojnë nga mjetet ekzistuese për t’u larguar nga Irani”, raporton KP.

SHBA nuk ka prani diplomatike në Iran. Zvicra, e cila ndihmon qytetarët amerikanë në Iran, ka mbyllur zyrën e saj të fuqisë mbrojtëse deri në njoftim të mëtejshëm.

“Departamenti ka hapur një formular pranimi krize për qytetarët amerikanë në Iran për të dhënë informacion mbi ndihmën konsullore. Por, për shkak të kufizimeve në mbështetjen konsullore në Iran, ne nuk parashikojmë të ofrojmë largim të asistuar direkt nga qeveria amerikane nga Irani”, thuhet në udhëzim.

DASH gjithashtu këshillon që shtetasit e dyfishtë amerikanë-iranianë “duhet të dalin me pasaporta iraniane dhe të jenë të përgatitur të përballen me pika kontrolli dhe pyetje nga autoritetet iraniane para se të largohen nga Irani”.

“Qeveria iraniane nuk njeh shtetësi të dyfishtë dhe do t’i trajtojë shtetasit me shtetësi të dyfishtë amerikano-iraniane vetëm si shtetas iranianë”, thuhet në udhëzim.

CNN raportoi të premten se qindra amerikanë janë larguar nga Irani ndërsa konflikti me Izraelin është përshkallëzuar, sipas një raporti të brendshëm të Departamentit të Shtetit.