I prangosur tek duart e këmbët- Gjykata jep detaje se çfarë kërkoi Naim Murseli tek QKUK-ja
Naim Murseli, i njohur ndryshe si i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Liridona Ademajt, doli sot jashtë burgut në të cilin po mbahet. Naim Murseli është parë në objektin e QKUK-së, saktësisht tek Klinika e Neurologjisë, i prangosur tek duart, këmbët e nën përcjellje të shtuar të policisë. Në lidhej me këtë nga…

Lajme
Naim Murseli, i njohur ndryshe si i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Liridona Ademajt, doli sot jashtë burgut në të cilin po mbahet.
Naim Murseli është parë në objektin e QKUK-së, saktësisht tek Klinika e Neurologjisë, i prangosur tek duart, këmbët e nën përcjellje të shtuar të policisë.
Në lidhej me këtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë konfirmuar për lajmi.net se Murseli me datë 4 qershor ka aprovuar kërkesën e bërë nga mbrojtja e të akuzuarit Murseli për lëshimin e urdhrit për ekzaminim psikiatrik të të njëjtit.
Kurse me datë 9 qershor trupi gjykues për këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë që të bëjë ekzaminimin psikiatrik të tij.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin.Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”,u tha në përgjigje.
Ditë më parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar seanca gjyqësorë ndaj Murselit dhe dy të akuzuarve të tjerë, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në këtë seancë ndër të tjerash Murseli pati deklaruar se në rast se dëshmohet se ai ka vrarë gruan e tij- do të kërkojë vetë burgim të përjetshëm.
“Po të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha Murseli.
I akuzuari Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse i akuzuari Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.
Gjykimi do të vazhdojë në korrik.
Seanca për nisjen e shqyrtimit gjyqësor të këtij rasti ishte caktuar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar më 26 mars aktakuzën për vrasjen e Ademajt.
Gjatë seancës fillestare, fajtor ishte deklaruar i përfshiri i katërt në aktakuzën për vrasjen e Ademajt, Tom Dodaj. Ai ishte përfshirë në aktakuzë, pasi ia ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Ademajt. Dodaj u dënua me pesë vjet burgim dhe me gjobë prej 5 mijë eurosh.
Në seancën fillestare, gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, kishte thënë se, nëse gjenden fajtorë, Murseli, Plava dhe Kokalla mund të dënohen me nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.
Çfarë u tha sot në seancë?
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se Prokuroria posedon numër të madh të provave për akuzat e ngritura, si dhe deklaratat e të akuzuarve të dhëna për Policinë e Kosovës.
“Gjatë krahasimit të deklaratave dhe provave të mbledhura, Prokuroria është bindur dhe po tentojmë ta bindim trupin gjykues dhe publikun se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, tha Përlinçeviq.
Prokurorja tha se, në deklaratën e dhënë për Policinë e Kosovës, Kokalla kishte thënë se Murseli i kishte kërkuar edhe një vit më herët t’ia vrasë bashkëshorten, por se ai kishte refuzuar. Sipas deklarimit të Kokallës në Polici, tri javë para vrasjes, Kokalla e ka gjetur personin që mund ta kryejë vrasjen, Plavën, në këmbim për 30 mijë euro.
Por, avokati i Kokallës, Ndrecë Dodaj, tha se provat e Prokurorisë nuk vërtetojnë prezencën e Kokallës apo se ai ka kryer veprën penale.
“Këto prova tregojnë vetëm faktin se i pandehuri Kokalla me Murselin jane familjarë, pra nip e dajë, dhe janë bashkëfshatarë”, tha Dodaj.
Përlinçeviq propozoi që si dëshmitarë të ftohen edhe Jeton Binaku, i cili u tha se ia kishte huazuar veturën Plavës në ditën e vrasjes, dhe Valon Lukaj, që u tha se i kishte siguruar banim Plavës pas vrasjes, dhe më vonë edhe Kokallës.
Ndërkohë, avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, tha se beson që nuk ka prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë se klienti i saj ka kryer apo urdhëruar vrasjen e Ademajt.
Zhinipotoku gjithashtu insistoi që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë vetëm pasi të jetë bërë ekzaminimi i statusit mendor të Murselit, për të cilën kërkesë tha se nuk kanë marrë përgjigje nga Prokuroria apo Gjykata.
Sipas saj, ky ekzaminim është kërkuar për të parë nëse Murseli është në gjendje ta kuptojë procedurën gjyqësore dhe të konsultohet me mbrojtësit për çështjen gjyqësore.
Avokati i Plavës, Skënder Gojani, tha se për gjendjen mendore të klientit të tij ka pranuar ekspertizë nga Instituti i Psikiatrisë dhe Forenzikës, dhe se shkaku i gjendjes së rënduar psiqike të tij, ai nuk mund të deklarohet për fajësinë.
Ai tha se Plava ka qenë në një aksident dy muaj para vrasjes, dhe se ai aksident “ka ndikuar në gjendjen e tij psikike”.
Gjyqtarja e rastit, Dërmaku, tregoi se gjyqtari i procedurës paraprake e kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Murselit për ekzaminim të statusit mendor të të akuzuarit.
Avokatja e tij tha se nuk kanë pranuar përgjigje, por e konsiderojnë ende të domosdoshëm këtë ekzaminim.
“Gjatë bisedave në Qendrën e Paraburgimit në Dyz me të pandehurin kemi vërejtur një gjendje labile, mendime për të kryer vetëvrasje, andaj, si mbrojtje, kemi konsideruar se është e domosdoshme që të kryhet ekzaminimi dhe të sigurohet konstatimi i ekspertëve”.
Pas kësaj, trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Murselit për ekzaminim psikiatrik.
“Urdhërohet Instituti i Psikiatrisë dhe Forenzikës që brenda dy javësh ta realizojë këtë ekzaminim”, tha gjyqtarja.
Seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë më 2 dhe 9 korrik, në orën 13:10, si dhe më 14 korrik në orën 09:00.
Si thuhet se ishte kryer vrasja?
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, kishte deklaruar më herët se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Ademajn nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.
Prokuroria tha se më 25 qershor 2022 është paguar polica e sigurimit jetësor për Ademajn, në vlerë prej 3.000.000 krunash suedeze (261.031 euro), me qëllim që, pas vdekjes së saj, Murseli ta përfitonte këtë sigurim.
Prokuroria tha se Murseli ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes, dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë, nuk kishte pranuar të kryente vrasjen, dhe e kishte njoftuar Murselin me Plavën.
Prokuroria tha se të tre më pas janë pajtuar që Plava ta vriste Ademajn, dhe Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro.
Ndërkaq, në këtë rast, Dodaj thuhet se u përfshi pasi në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli kishte blerë nga ai një pistoletë, të firmës Zastava, dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, tha Prokuroria, ishte vrarë Ademaj.
“….Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria./Lajmi.net/