​Arrestohet personi i 19-të për degradimin e mjedisit në Prizren

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e nëntëmbëdhjetë lidhur me aksionin prokurorisë kundër degradimit të mjedisit në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”. Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore ka siguruar prova lidhur me degradimin e mjedisit, por me rastin e ndërmarrjes së aksionit më datë katër qershor…

Lajme

18/06/2025 14:17

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e nëntëmbëdhjetë lidhur me aksionin prokurorisë kundër degradimit të mjedisit në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore ka siguruar prova lidhur me degradimin e mjedisit, por me rastin e ndërmarrjes së aksionit më datë katër qershor 2025, i njëjti ka qenë i paidentifikuar për policinë.

Pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një kamion dhe një ekskavator.

I pandehuri i arrestuar, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më 4 qershor 2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

Po ashtu është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin, Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

Arrestimi i personit paraqet vazhdimësi të aksionit të datës 4 qershor2025, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit ishin arrestuar 18 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që çojnë në ndotjen dhe degradimin e mjedisit.

Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.