E goditi disa herë me grushte në fytyrë, Prokuroria kërkon paraburgim për policin që keqtrajtoi një qytetar në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor që është arrestuar nën dyshimin për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i rëndë trupor”. Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se sipas kërkesës “më datë 14 qershor 2025, rreth orës 21:35 min në rrugën “Ekrem Rexha” në…

Lajme

17/06/2025 12:27

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor që është arrestuar nën dyshimin për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i rëndë trupor”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se sipas kërkesës “më datë 14 qershor 2025, rreth orës 21:35 min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, i pandehuri R.P., në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor – dyshohet se duke vepruar së bashku me kolegun e tij N.B., gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka keqtrajtuar të dëmtuarin S.F. Ngjarja ka ndodhur pasi zyrtarët policorë i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje të dëmtuarit për shkak të parkimit të palejuar, duke e vendosur tiketën e gjobës në xhamin e veturës. Në atë moment, i dëmtuari, i cili ndodhej brenda një kafiterie afër vendit të ngjarjes, ka dalë jashtë dhe ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, zyrtarët policorë i kanë kërkuar të dëmtuarit të paraqesë dokument identifikimi, por ai nuk i është bindur urdhrit të tyre. Si pasojë, ata kanë tentuar ta arrestojnë. Gjatë përpjekjes për arrestim, i dëmtuari ka rezistuar, dhe në një moment, i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij, me ç’rast kolegu i tij, zyrtari policor N.B., është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të. Ndërsa i dëmtuari ndodhej në pozitë të shtrirë përtokë, dhe gjatë tentativës për ta vënë nën kontroll, i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me këto veprime, R.P., ka kryer veprat penale të lartëcekura.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, theksohet në komunikatë.