Produktet e ndërtimtarisë do të pësojnë rritje për 30%, shkak ngritja e çmimit të rrymës
Jahir Morina, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në sektorin e ndërtimtarisë dhe ekonominë e vendit në përgjithësi. Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic thekson se kjo rritje po sjell pasoja negative për të gjithë bizneset, veçanërisht për ato…

Lajme
Jahir Morina, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në sektorin e ndërtimtarisë dhe ekonominë e vendit në përgjithësi.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic thekson se kjo rritje po sjell pasoja negative për të gjithë bizneset, veçanërisht për ato prodhuese.
“Rritja e çmimit të rrymës në Kosovë ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve në të gjithë sektorët duke përfshirë edhe sektorin e ndërtimtarisë. Po më e rëndësishme është që ngriten çmimet në shportën e qytetarëve. Eshtë shqetësuese rritja e çmimit të energjisë elektrike e cila do të ndikojë negativisht tek secili biznes e sidomos tek bizneset që janë prodhuese. Bizneset do të përballen me një rritje enorme të çmimeve dhe një destabilizim të tregut në tërësi,” ka thënë Morina.
Ai ka përmendur disa faktorë kryesorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve në sektorin e ndërtimtarisë, duke nisur nga pandemia e vitit 2019-2020 dhe më pas lufta në Ukrainë, e cila ka destabilizuar tregjet në Evropë.
“Paralelisht me rritjen e energjisë elektrike kanë filluar të rriten edhe shpenzimet, derivatet, ushqimet, do të fillojnë të ngriten edhe produktet e ndërtimtarisë. Të gjitha produktet do të pësojnë rritje për 30%, kjo do të ndikojë negativisht tek zhvillimi që pritet të ndodhë në sektorin e ndërtimtarisë sepse ndërtimtaria nuk e përbën vetëm sektorin e ndërtimit të lartë ose shtëpive, ndërtimtari quhen të gjitha pjesët që merren edhe me infrastrukturën me ambientin dhe të gjitha që lidhen me fuqinë punëtore dhe me fuqinë teknike të ndërtimit dhe inxhinierisë në përgjithësi,” ka shtuar ai.
Morina paralajmëron një krizë të mundshme për bizneset e ndërtimtarisë, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar edhe mbyllje, duke theksuar mungesën e përgjigjes së qeverisë ndaj sfidave aktuale të biznesit.
“Unë mendoj se kjo do të jetë një sfidë, bizneset do të kalojnë në një fazë krize, shumë biznese kanë paralajmëruar edhe mbylljen e tyre që është shqetësuese. Ndikimi i politikave në këtë drejtim për momentin është i mangët, të gjitha këto protesta që po organizohen dhe të gjitha këto thirrje të bizneseve janë që politikat të jenë pranë biznesit në këtë kohë krize,” përfundoi ai.