Artan Hoxha publikon fotografi nga Gjakova: 13 qershor 1999, duket si Rripi i Gazës, por jam në Çarshinë e Madhe

Gazetari i njohur nga Shqipëria, Artan Hoxha ka publikuar një fotografi që ishte realizuar në Gjakovë me 13 qershor 1999, ditën kur u çlirua ky qytet. Hoxha në postimin e bërë shkroi se ky qytet ishte shkatërruar nga artileria serbe, shkruan lajmi.net “Duket si Rripi i Gazës, por në fakt jam në Çarshinë e Madhe”,…

Lajme

14/06/2025 17:54

Gazetari i njohur nga Shqipëria, Artan Hoxha ka publikuar një fotografi që ishte realizuar në Gjakovë me 13 qershor 1999, ditën kur u çlirua ky qytet.

Hoxha në postimin e bërë shkroi se ky qytet ishte shkatërruar nga artileria serbe, shkruan lajmi.net

“Duket si Rripi i Gazës, por në fakt jam në Çarshinë e Madhe”, shkroi Hoxha ndër të tjera në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Asgjë nuk harrohet…
13 qershor 1999
Dita e parë e lirisë për Shqipërinë e përtej Drinit të Bardhë.
Nxitova të hyja nga Tropoja(Malësia e Gjakovës) në drejtim të njërit nga qytetet më historike të Kosovës.
Duket si Rripi i Gazës, por në fakt jam në Çarshinë e Madhe, në qytetin përzhituar nga zjarri dhe artileria sërbe, në zemër të Gjakovës.
Ushtria gjaksore e Sllobodan Millosheviçit, e kishte rrafshuar deri në themele, zonën tregtare dhe historike në Çarshinë e Madhe, mbushur me dyqane druri karakteristike qindravjeçare.
Përveç spastrimit etnik, ushtria sërbe kishte si qëllim edhe rrafshimin e trashgimisë historike e kulturore të shqiptarëve të Kosovës.
Çarshia e Madhe e Gjakovës, e ka fillesën në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të. Dyqanet karakteristike me themele guri dhe strukturë druri, u mbijetuan 5 shekujve histori, por jo zjarrit dhe bombardimit të barbarisë sërbe.
Kësaj barbarie, nuk i shpëtoi as zemra e Çarshisë së Madhe, Xhamia e Hadumit, e ndërtuar në vitin 1595 të shekullit të 16-të.
Ndërsa i vuri zjarrin Çarshisë së Madhe, ushtria sërbe, konstatoi se zjarri nuk do ta dëmtonte Xhaminë e Hadumit.
Për këtë shkak, ata vendosën ta bombardonin me artileri të rëndë, duke dashur të fshijnë nga memoria e kombit, një kompleks me histori pesëshekullore./lajmi.net/