Një punëtor i strehimores së qenve në Komunën e Prishtinës rrah brutalisht një qen – Reagon Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka postuar një video në Facebook, ku shihet një punëtor i strehimores publike të qenve në Komunën e Prishtinës teksa rrah brutalisht një qen. Ky Fondacion ka shkruar se ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm. “Ky incident nuk është një rast i izoluar, por një…

Lajme

09/06/2025 14:12

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka postuar një video në Facebook, ku shihet një punëtor i strehimores publike të qenve në Komunën e Prishtinës teksa rrah brutalisht një qen.

Ky Fondacion ka shkruar se ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm.

“Ky incident nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e qartë e një problemi më të thellë dhe sistematik brenda qasjes së Komunës së Prishtinës ndaj mirëqenies së kafshëve. Për vite me radhë, zyrtarët komunalë kanë bërë deklarata publike duke pretenduar se janë të përkushtuar ndaj trajtimit human të kafshëve endacake dhe se respektojnë mirëqenien e kafshëve. Megjithatë, veprimet e tyre vazhdojnë të jenë në kundërshtim me këto premtime. Komuna ka dështuar vazhdimisht në respektimin e dispozitave ligjore në fuqi për trajtimin dhe kujdesin e kafshëve, veçanërisht Ligjin Nr. 02/L-10 për Mirëqenien e Kafshëve dhe Udhëzimin Administrativ për strehimoret e kafshëve shoqëruese”, ka shkruar ky Fondacion në Facebook.
Sipas tyre, Komuna e Prishtinës qëllimisht ka ndërhyrë në përgjegjësitë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Në vend që të ndjekin procedurat e kërkuara ligjërisht për të krijuar një strehimore funksionale dhe të ligjshme për kafshët, ata kanë zgjedhur t’i anashkalojnë tërësisht këto kërkesa duke miratuar pa procesverbale zyrtare strehimore të paligjshme që nuk përmbushin as standardet minimale (nën pretekstin e subvencionimit të adoptimit). Këtë fakt e ka konfirmuar shprehimisht edhe vetë AUV gjatë inspektimeve, e cila ka deklaruar se objekteve u mungojnë kushtet e nevojshme për të funksionuar si strehimore legjitime për qentë”, thuhet në këtë reagim.
Sipas Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Komuna e ka përjashtuar sistematikisht shoqërinë civile nga ky proces, pasi sipas Fondacionit ata kanë injoruar këshillat e organizatave me përvojë në menaxhimin e qenve dhe kafshëve të pastreha, dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur një rrugë të fshehtësisë, paligjshmërisë dhe brutalitetit për të hequr qentë nga rrugët – pa qëndrueshmëri, transparencë, mbikëqyrje ose dhembshuri.
“Organizata jonë është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj individit të shfaqur në video. Për më tepër, ne po shqyrtojmë edhe opcione tjera ligjore për ta shtrirë këtë ankesë edhe tek zyrtarët komunalë të cilët janë bashkëfajtorë në këtë mizori, për keqpërdorim të kafshëve, neglizhencë dhe qeverisje të paligjshme. Kjo nuk mund dhe nuk do të injorohet. Kërkojmë llogaridhënie. Kërkojmë drejtësi për kafshët që vuajnë pas dyerve të mbyllura, të fshehura nga sytë e publikut por jo nga e vërteta. I bëjmë thirrje publikut, mediave dhe çdo qytetari që kujdeset për trajtimin e kafshëve në Kosovë që të ngrejë zërin kundër këtij veprimi të qëllimshëm ndaj kafshëve endacake nga zyrtarët e komunës së Prishtinës”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/ 
Postimi i tyre i plotë në Facebook: