Ndalohet në Serbi ish-polici special i Kosovës, po merret në pyetje për rastin “Banjska”
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se Arbnor Spahiu, ish pjesëtar i Njësisë Speciale Operative, është ndaluar dje nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Koci ka thënë se Spahiu qe tri vjet nuk punon në Polici dhe jeton në Gjermani. Ai ka shtuar se Spahiu është…

Lajme
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se Arbnor Spahiu, ish pjesëtar i Njësisë Speciale Operative, është ndaluar dje nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Koci ka thënë se Spahiu qe tri vjet nuk punon në Polici dhe jeton në Gjermani. Ai ka shtuar se Spahiu është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.
“Qytetarët e Kosovës po ndalohen dhe po arrestohen në Serbi. Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Edhe pse ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”. Përsëris: nuk ka qenë duke punuar në polici në atë kohë. Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar.”
Ai ka thënë se është i qartë sinjali që kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe.
Koci ka thënë se është angazhuar në mbrojtjen e Arbnor Spahiut, derisa i ka bërë thirrje MPJD’së reagim urgjent.
“Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton. Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Nuk e lë vetëm askend – me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam. Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet. Të gjithë për një, një për të gjithë – duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë!”