Shahini: Shumë biznese drejt falimentimit, shkak rritja enorme e tarifave të energjisë

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se protestat e bizneseve nuk janë të zakonshme, por që kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe të mërkurën, pasi janë shterrur të gjitha mundësitë për dialog me Qeverinë e vendit. Sipas Shahinit, pas daljes në tregun e lirë, bizneseve po u kushton së paku tri…

Lajme

07/06/2025 14:02

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se protestat e bizneseve nuk janë të zakonshme, por që kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe të mërkurën, pasi janë shterrur të gjitha mundësitë për dialog me Qeverinë e vendit.

Sipas Shahinit, pas daljes në tregun e lirë, bizneseve po u kushton së paku tri herë më shtrenjtë energjia elektrike se deri më tash, dhe kjo për shumicën prej tyre është e papërballueshme.

“Ne, bizneset që kemi zgjedhur që të drejtat tona t’i kërkojmë duke protestuar, siç do ta bëjmë edhe të mërkurën më 11 në ora 11 në sheshin e Prishtinës, kemi me qindra mijëra punëtorë dhe po ashtu qarkullim qindra milionësh me një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonomi. Rritja e çmimeve deri në 250 e 300% është goditja më e madhe që iu ka bërë bizneseve ndonjëherë. Një rritje e tillë e tarifave në këtë masë nuk ka ndodhur kurrë. Me këtë rritje, nëse një biznes ka paguar rreth 400 mijë euro, me këtë rritje fatura mujore vetëm për energji do t’u shkojë mbi 1.3 milion euro, dhe kjo për shumicën është e papërballueshme,” ka shtuar Shahini.

Në anën tjetër, kreu i AKB-së ka komentuar edhe deklaratat e Qeverisë se bizneset që po protestojnë janë vetëm 1% e bizneseve në vend dhe nuk paraqesin zërin real të tyre.

“Qeveria dhe të gjitha institucionet këtë 1% të bizneseve duhet t’i trajtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, e jo t’i përbuzin me kësi etiketime, sepse ky 1% i bizneseve ka 50% të gjithë qarkullimit vjetor të bizneseve dhe po ashtu rreth 50% të punëtorëve në sektorin privat janë të punësuar në këto biznese dhe e mbajnë ekonominë aktive. Disa prej këtyre bizneseve kanë deri në 4 mijë e 5 mijë punëtorë. Nëse do të mbylleshin, ekonomia jonë do të binte në kollaps”, ka pohuar Shahini.

Mosreagimi qeveritar për të shtyrë për një vit daljen në treg, sipas Shahinit, do të ndikojë në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve – çmime të cilat do t’i paguajnë vetë qytetarët, pra indirekt kjo po ashtu do të godasë xhepin e secilit qytetar.