Serwer: Dialogu i BE-së ka arritur limitet, SHBA-ja s’do të përfshihet

Procesi i dialogut të Brukselit, i promovuar dikur si rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, po perceptohet gjithnjë e më shumë si i dështuar dhe i pakuptimtë në sytë e njohësve të zhvillimeve ndërkombëtare. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, e konsideron këtë proces të zbehur dhe pa substancë, duke theksuar se…

Lajme

07/06/2025 08:36

Procesi i dialogut të Brukselit, i promovuar dikur si rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, po perceptohet gjithnjë e më shumë si i dështuar dhe i pakuptimtë në sytë e njohësve të zhvillimeve ndërkombëtare.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, e konsideron këtë proces të zbehur dhe pa substancë, duke theksuar se Perëndimi po mban qëndrim më të ashpër ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shndërruar në një proces të paqartë dhe jofunksional, ku megjithë takimet e shpeshta në Bruksel dhe deklaratat optimiste të zyrtarëve evropianë, përparimi real në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara ka qenë minimal.

Serwer u shpreh se ky proces nuk mund të quhet më dialog i mirëfilltë, por është kthyer në një mekanizëm që shërben vetëm për të menaxhuar status quo-në.

“Cili dialog Kosovë–Serbi? A ka pasur ndonjë të tillë në gjashtë muajt e fundit, apo madje në një vit? Apo gjatë disa viteve të fundit?”, ka pyetur ai, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e një procesi real negociues.

Sipas tij, procesi i lehtësuar nga BE-ja ka arritur në pikën ku mungon vullneti politik nga të dy palët. Prishtina dhe Beogradi, thotë ai, nuk kanë interes të sinqertë për zbatimin e marrëveshjeve ose për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do të sillte normalizimin e plotë të raporteve.

“Procesi i udhëhequr nga BE-ja duket se ka arritur kufijtë e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë, ku asnjëra prej tyre nuk duket e etur të vazhdojë më shumë veçse të shtiren”, theksoi Serwer për Kohën.

Ai gjithashtu ngriti shqetësime për mungesën e përfshirjes strategjike të Shteteve të Bashkuara në këtë proces, duke e cilësuar angazhimin e tyre si të vakët dhe të paqartë.

“Nuk kam vënë re ndonjë interes strategjik të Administratës së re të SHBA-së në Kosovë. As nuk shoh ndonjë shenjë se Uashingtoni po ripërcakton përparësitë e rolit të vet në rajon, megjithëse duket se ka ftohje pak ndaj Beogradit”, ka deklaruar ai.

Duke përmendur qëllimin që duhet të ndjekin SHBA-të, Serwer theksoi se ai duhet të jetë “njohja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i ambasadorëve në nivel të plotë” mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, vetëm pas këtij hapi, SHBA duhet të reduktojë angazhimin dhe bashkëpunimin me Serbinë, derisa ajo të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të kësaj njohjeje.