“Kanë qasje në ajër të pastër” – Specialja mohon akuzat për trajtim çnjerëzor të krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë reaguar pas dy letrave që kanë dërguar ish-krerët e UÇK-së. E para ishte letër refuzuese për takim me Avokatin e Popullit të Speciales, dhe e dyta ankesë për kufizimet ekstreme në takimet me avokatë. Në një përgjigje për Nacionalen, Gjykata Speciale ka mohuar akuzat për trajtim çnjerëzor. Ata kanë…

Lajme

06/06/2025 15:39

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë reaguar pas dy letrave që kanë dërguar ish-krerët e UÇK-së. E para ishte letër refuzuese për takim me Avokatin e Popullit të Speciales, dhe e dyta ankesë për kufizimet ekstreme në takimet me avokatë.

Në një përgjigje për Nacionalen, Gjykata Speciale ka mohuar akuzat për trajtim çnjerëzor. Ata kanë theksuar se kushtet në Qendrën e Paraburgimit janë sipas standardeve, duke përmendur edhe qasjen që kanë të akuzuarit në ajër të pastër!

“Të paraburgosurit në Hagë kanë qasje të përditshme në ajër të pastër dhe ushtrime fizike, mundësinë për të luajtur sporte të tilla si tenisi, pingpong, futboll dhe basketboll, dhe për t’u marrë me kopshtari. Ata kanë qasje në një dhomë arti ku mund të angazhohen në aktivitete krijuese si piktura dhe një dhomë muzike me instrumente. Ata kanë mundësinë të gatuajnë dhe të ndajnë vakte së bashku dhe të shoqërohen. Të paraburgosurit mund të marrin pjesë në shërbime fetare. Ata kanë qasje në materiale shkrimi. Ata gjithashtu kanë qasje në programe radiofonike dhe televizive në shqip, si dhe në libra, revista dhe gazeta të përditshme”,thuhet në përgjigjen e tyre.

Pa komentuar refuzimin për takim me Avokatin e Popullit, Specialja ka thënë se të akuzuarit mund të ankohen edhe ndaj këtij institucioni, deri te gjyqtarët. Por sipas tyre, deri më tash nuk ka pasur ankesa te Avokati i Popullit.

“Të paraburgosurit mund të ankohen në çdo kohë tek Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ose Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ata gjithashtu mund të ankohen tek zyrtari kryesor i paraburgimit. Një procedurë ankimi u lejon atyre të paraqesin ankesën e tyre te Regjistruesi dhe, si mjet i fundit, para gjyqtarëve. Për çdo ankesë zyrtare të paraqitur te Avokati i Popullit, lëshohet një raport dhe publikohet në faqen e internetit. Nëse kontrolloni faqen e internetit, do të shihni se asnjë prej të paraburgosurve nuk është bërë asnjë ankesë zyrtare në lidhje me kushtet brenda qendrës së paraburgimit te Avokati i Popullit”, thuhet më tutje.

Gjykata Speciale ka mohuar akuzat se ka kufizime ekstreme në takimet me avokatë, pavarësisht se një gjë e tillë thuhet në letrën e Thaçit dhe të tjerëve.

“Në fakt, të paraburgosurit kanë disa mënyra për të komunikuar në mënyrë konfidenciale me Avokatin e tyre Mbrojtës. Ata mund të bëjnë dhe të marrin telefonata me avokatët e tyre në çdo kohë në linja telefonike të privilegjuara dhe të sigurta. Çdo i paraburgosur gjithashtu ka një kompjuter në qelinë e tij i cili siguron komunikim konfidencial dhe të sigurt me ekipin e tyre të Mbrojtjes në çdo kohë. Të paraburgosurit gjithashtu kanë mundësinë të takohen me ekipet e tyre të Mbrojtjes me anë të videokonferencës”, thuhet në përgjigje.

“Kur bëhet fjalë për vizita personale me Avokatin, shumica dërrmuese e kërkesave plotësohen në datën dhe orën e kërkuar. Në rastet e rralla kur orari është i ngjeshur për shkak të nevojës që të dhjetë të paraburgosurit të kenë vizita me familjen, miqtë dhe të njohurit, si dhe me avokatin, ofrohet gjithmonë një kohë alternative, një vendndodhje alternative e përshtatshme ose mjete të tjera komunikimi (siç është një vizitë video)”, përfundon përgjigja.