Miftaraj: Ka rënie të shtyrjes së seancave në mënyrë relative
Mungesa e mospërkthimi i shkresave të lëndës, telashe me dërgimin e ftesave për palët, mungesa e përkthyesve por edhe ekspertizës, janë disa nga shkaktarët që kanë bërë që seancat të shtyhen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, por edhe në degën në Graçanicës. Kështu thotë raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat…

Lajme
Mungesa e mospërkthimi i shkresave të lëndës, telashe me dërgimin e ftesave për palët, mungesa e përkthyesve por edhe ekspertizës, janë disa nga shkaktarët që kanë bërë që seancat të shtyhen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, por edhe në degën në Graçanicës.
Kështu thotë raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”, i bërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, sipas të cilit në Departamentin Special në Prishtinë kanë dështuar rreth gjashtëmbëdhjetë përqind (16.5%) e seancave, ndërsa në Graçanicë janë shtyrë katërmbëdhjet përqind (14%) e seancave.
Edhe ky raport e ngrit si shqetësim mungesën e kapaciteteve të përkthyesve sidomos të gjuhës serbe dhe cilësinë e përkthimeve.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj u shpreh se tashmë ka një përmirësim të gjendjes krahasuar me situatën para dhjetë (10) viteve, ku pesëdhjetë përqind (50%) e seancave shtyheshin, ndërsa tani kjo përqindje ka rënë në trembëdhjetë përqind (13%).
“Në seancat e mëhershme i bie që mbi 50% të seancave para 10 viteve janë shtyrë për shkaqe të ndryshme që ka qenë dhe mungesa e vetë gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe kjo mund të themi se ka rënë në mënyrë relative prej 12, 13%, që ka qenë prej indikatorëve shumë i rëndësishëm që tregon se tanimë të gjitha palët i kushtojnë më shumë rëndësi dhe adresimi i drejtësisë bëhet në mënyrë shumë më efikase…të njëjtat probleme që i kemi në gjykatat me shumicë shqiptare në pjesën tjetër të territorit dhe në gjykatën themelore në Prishtinë dhe Graçanicë janë të njëjtat probleme”, theksoi ai.
Zëvendësshefi i misionit të UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin tha se e drejta për gjykimin në gjuhën amtare është e drejtë themelore dhe gurthemel për qasje në drejtësi.
Ai theksoi se çështja e përkthimit sidomos në gjuhën serbe kërkon adresim.
“E drejta për të pas gjykim dhe procedurën në gjuhën amtare është e drejtë fundamentale në të gjitha sistemet e botës, sepse është një gurthemel i qasjes në drejtësi posaçërisht për ata që nuk e flasin gjuhën e shumicës së komunitetit shumicë ku seancat zhvillohen… Është esenciale për ta rritur edhe besimin e qytetarëve tek gjyqësori, por edhe tek institucionet tona dhe ndërmjet njerëzve”, theksoi ai.
Hulumtuesja në IKD, Arrita Rezniqi tha se shtyrja e seancave në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, më së shpeshti ndodh nga mungesa ose vonesa e përkthimit të shkresave të lëndës.
Ajo shtoi se në Departamentin Special në të gjitha seancat gjyqësore janë siguruar përkthyesit, madje si hap pozitiv e vlerësoi edhe përkthimin simultan që ka nisur të praktikohet në këtë departament.
“Në kuadër të Departamentit Speciale kemi monitoruar 97 seanca gjyqësore prej të cilave rreth 16.5% të seancave janë shtyrë dhe arsyet kur janë identifikuar në rastin e këtyre seancave tregojnë që mungesa ose vonesa në përkthimin e shkresave të lëndës në kuadër të DS ka qenë arsyeja më e shpeshta e shtyrjes së seancave gjyqësore, ndërsa më pak raste diku 1 rast është shtyrë për mungesë të avokatëve mbrojtës, ndërsa 2 raste të tjera për shkak të mungesës së palëve të dëmtuara”, tha ajo.
Raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor” thotë se në divizonin penal në gjykatën themelore në Graçanicë seancat janë shtyrë kryesisht për shkak të dorëzimit jo të rregullt të ftesave apo edhe mos arritjes së ftesave tek palët.
Ndërsa, tek divizioni civil shtyrja e seancave ka ndodhur për shkak të mungesës së përkthyesve, ekspertëve, por më së shumti për shkak të mungesës së ekspertizës.
“Në total janë monitoruar 129 seanca gjyqësore, prej të cilave disa kanë qenë në kuadër të rasteve penale dhe të tjerat në civile. .prej këtyre 129 në total të monitoruar rreth 14% e tyre janë shtyrë në divizionin penal shumica arsye e shpeshta për shtyrje ka qenë dorëzimi jo i rregullt i ftesave të palëve ose mungesa e identifikimit të adresave ose pa mundësia e arritjes së palëve në këtë situatë. Ndërsa ka pas raste të tjera kur një rast është shtyrë për shkak të vonesës së prokurorisë në dorëzim të shkresave të lëndëve, dhe tri raste të tjera kanë mungesa e të pandehurve. Në divizionin civil arsyet e shtyrjeve kanë qenë ndoshta paksa më të larmishme në raport me atë diferencën që kanë pas me njëra-tjetrën seancat gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së përkthyesit, mungesës së ekspertit, apo për shkak të mungesës së provave në shkresa të lëndës, ndërsa raste më të shpeshta të shtyrjes në degën e Graçanicës kanë qenë arsyet që janë ndërlidh me ekspertiza”, deklaroi ajo.
Të gjeturat e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi me temën “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”, janë bazuar në monitorimin e dyqindenjëzetegjashtë (226) seancave të mbajtura në Departamentin Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinës, dhe Gjykatën Themelore të Prishtinës-Dega Graçanicë për një periudhë mbi shtatë mujore. /kp