Abdixhiku ‘thumbon’ Pecin: Paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet e ligj, do të kthehen cent më cent
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas aksionit të sotshëm nga Prokuroria Speciale në ministrinë e Bujqësisë, në lidhje me fabrikën për mbetjet shtazore. Abdixhiku në postimin e tij tha se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent, duke thumbuar Pecin,…

Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas aksionit të sotshëm nga Prokuroria Speciale në ministrinë e Bujqësisë, në lidhje me fabrikën për mbetjet shtazore.
Abdixhiku në postimin e tij tha se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent, duke thumbuar Pecin, shkruan lajmi.net
Postimi i plotë:
Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni.
Edhe atë të pushtetarëve.
Sidomos atë të pushtetarëve.
Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë.
Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!/lajmi.net/