Lladrovci: Limaj do të kënaqet me një apo dy ministri, s’pritet të bëhet kryetar i parlamentit
Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke vlerësuar se nuk ka asgjë të papritur në lëvizjet e partive politike, sidomos sa i përket pozicionit të Fatmir Limajt. Sipas Lladrovcit, ai ka pasur një vlerësim të qartë për këtë situatë, falë përvojës së tij të gjatë në politikë. “Unë e kam…

Lajme
Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke vlerësuar se nuk ka asgjë të papritur në lëvizjet e partive politike, sidomos sa i përket pozicionit të Fatmir Limajt.
Sipas Lladrovcit, ai ka pasur një vlerësim të qartë për këtë situatë, falë përvojës së tij të gjatë në politikë.
“Unë e kam deklaruar tashmë atë që pritej të ndodhte. Asgjë e papritur. Nuk pres që Limaj të bëhet kryekuvendar,” ka thënë Lladrovci, duke shtuar se ai do të kënaqet me dy ministri dhe me ligjin për uljen e pragut zgjedhor në 2%, të cilat janë të mjaftueshme për të realizuar ambiciet e tij.
Lladrovci ka vlerësuar se shumë nga lëvizjet politike të Limajt janë thjesht “kozmetikë” dhe nuk kanë ndikim të madh në shtrirjen e fuqisë politike.
“Në politikë jam moti dhe leximet i bëj shpejtë, për shkak të përvojës, normalisht e shoh më heret se kah po ecë historia qoftë aktuale politike, qoftë nacionale.E kam deklaruar tashmë, atë që pritej të ndodhte. Asgjë e papritur. Nuk pres që Limaj të bëhet kryekuvendar. Ai do të kënaqet me një apo dy ministri dhe ligjin për uljen e pragut zgjedhor në 2%, ato tjerat janë kozmetikë”, tha Lladrovci.
Ai gjithashtu ka shtuar se dikush mund ta interpretojë këtë talent për të pasur qasje në pushtet si “zhdërvjelltësi”, por për të, kjo është pjesë e një “qëllimi madhor” për të siguruar më shumë mundësi për partinë e tij dhe për të ndikuar në politikat e ardhshme.
“Dikush këtë talent për qasje në pushtet, në politikë e quan edhe zhdërvjelltësi, por, unë këtë e shoh brenda një konteksti tjetër të mirënjohur si për “qëllime madhore”, tha Lladrovci për GazetaBlic.