Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë shkakton pritje të gjata
Qytetarët ankohen për kolona kilometrike në hyrje të Vushtrrisë, derisa punimet në zgjerimin e rrugës magjistrale po vazhdojnë me ritme të ngadalta. Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë sqarime për punët që po bëhen dhe kur do të kryhen, ndërsa kompania kontraktuese përmend afat dyvjeçar për përfundimin e tyre. Sinjalizimet për punime në rrugë…

Lajme
Qytetarët ankohen për kolona kilometrike në hyrje të Vushtrrisë, derisa punimet në zgjerimin e rrugës magjistrale po vazhdojnë me ritme të ngadalta. Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë sqarime për punët që po bëhen dhe kur do të kryhen, ndërsa kompania kontraktuese përmend afat dyvjeçar për përfundimin e tyre.
Sinjalizimet për punime në rrugë tani janë vendosur në hyrje të Vushtrrisë.
Pak më tutje, mjetet e rënda kryejnë punimet për zgjerimin e magjistrales. Teksa punimet po vazhdojnë, qytetarët ankohen për pritje të gjata në kolona.
Ibrahim Maxhuni, qytetar tha për RTK se “zakonisht unë udhëtoj çdo ditë se jam afër këtu. Kolona ka fillu të zvogëlohet, mirëpo prapë bëhet kolonë nja-dy tri kilometra deri këtu”.
“Me rregullimin e kësaj rruge mendoj se do të shpëtojmë shumë Vushtrria dhe Mitrovica”, shtoi ai
“Po bëhet kolonë, mos vet çfarë kolone është ka bëhet. Kolonë e madhe, përditë”, thotë qytetari Rexhep Maloku.
Ministria e Infrastrukturës në shkurt të vitit të kaluar kishte nënshkruar kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën, por e njëjta ende nuk është finalizuar.
Lidhur me këtë çështje, RTK ka disa javë që ka adresuar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje?
Nga kompania “Eskavator” që po zhvillon punimet, kanë thënë përmes telefonit për RTK-në se kontrata njëvjeçare ka përfshirë vetëm një pjesë të magjistrales prej 5.5 kilometrash, ndërsa për përfundimin e plotë të punimeve, kompania ka afat dy vjet.