Isa Krasniqi shpalos ngecjet e KEK-ut: Mbi një miliard euro të humbura në energji elektrike
Njohësi i çështjeve ekonomike, Isa Krasniqi ka komentuar situatën aktuale në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai shpalos të gjetura dhe dobësi të konsiderueshme në këtë Korporatë. Krasniqi thotë se një miliard e katërqind e shtatëdhjetë milionë euro janë të humbura në energji elektrike në Republikën e Kosovës. Isa Krasniqi ka publikuar një tabelë me të…

Lajme
Njohësi i çështjeve ekonomike, Isa Krasniqi ka komentuar situatën aktuale në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai shpalos të gjetura dhe dobësi të konsiderueshme në këtë Korporatë.
Krasniqi thotë se një miliard e katërqind e shtatëdhjetë milionë euro janë të humbura në energji elektrike në Republikën e Kosovës.
Isa Krasniqi ka publikuar një tabelë me të dhëna për energjinë elektrike. Ai tha se energjia elektrike në depozicion, paraqet totalin e energjisë së prodhuar brenda periudhës 2021-TM12025, pra për katër vite e tre muaj të energjisë së prodhuar brenda vendit, duke ia shtuar asaj totalin e energjisë së blerë apo të importuar dhe duke e zbritur me energjinë që është eksportuar apo shitur gjatë të njëjtës periudhë. Sipas tij, të dhënat e energjisë elektrike janë sipas ASK-së
Krasniqi ka ngritur edhe shqetësimin e tij se vlera e humbur në euro, tregon se “vetëm për katër vite e tre muaj, Kosova ka humbur afro tre Termocentrale elektrike të reja pesëqind milionshe që do t’i kishte ndërtuar”.
“Pra, brenda periudhës 2021-TM12025 kemi këto të dhëna për energji elektrike: Energji bruto të prodhuar 28593.04 GWh ose 28,5 TWh; Energji të importuar apo të blerë 14420.61 GWh ose 14.4 TWh; Energji të eksportuar apo të shitur 11371.65 GWh ose 11.3TWh; Energji në dispozicion 31641.89 GWh ose 31.6 TWh; Energji të konsumuar 22883.32 GWh ose 22.8 TWh Diferenca në mes të energjisë në dispozicion dhe asaj të konsumuar 8758.57 GWh ose 8.75 TWh; Te Diferenca, e shprehur në euro sipas çmimit mesatar të blerjes nga Kosova, për këtë periudhë sipas AI (sepse nuk ka të dhëna zyrtare të publikuara) është 168 euro për MWh, do të kemi: Shuma totale në euro = 8.75 x 1000 x 1000 x 168 = 1,470,000,000 euro”, shkruan Krasniqi.
Ai ka shtuar po ashtu se “Pra, 1 miliard e 470 milion euro humbje, me mundësi shumë të mëdha të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit. Në këto vlera marramendëse të humbura, a ka pas keqpërdorime? A ka pas keqmenaxhim? A ka zhvatje dhe instruksione për zhvatje, ose shkurt hajni? Cilat janë dëmet e shkaktuara? Vlera e humbur në euro, tregon se vetëm për 4 vite e 3 muaj, Kosova ka humbur afro 3 Termocentrale elektrike të reja 500 milionshe që do ti kishte ndërtuar. Hulumtoni, hulumtoni dhe hetoni, se shumë çka do të gjeni. Të dhënat e energjisë elektrike janë sipas ASK-së”, shkruan ai.