Njëzet e gjashtë vjet nga masakra e Dubravës, bëhet thirrje për drejtësi
Në njëzet e gjashtë vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës të mbijetuar të kësaj masakre, familjarë të të vrarëve dhe krerë institucional bënë nderime tek memoriali përkujtimor në hapësirat e këtij burgu. Edhe sot u kërkua që të vihen para drejtësisë të gjithë ata qe orkestruan këtë masakër ku mbetën të vrarë rreth njëqind…

Lajme
Në njëzet e gjashtë vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës të mbijetuar të kësaj masakre, familjarë të të vrarëve dhe krerë institucional bënë nderime tek memoriali përkujtimor në hapësirat e këtij burgu. Edhe sot u kërkua që të vihen para drejtësisë të gjithë ata qe orkestruan këtë masakër ku mbetën të vrarë rreth njëqind e njëzet të burgosur shqiptarë dhe treqind të tjerë të plagosur, raporton KosovaPress.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se masakra e Dubravës ishte skenar i shtetit serb.
Kurti tha se zbulimi i masakrës së Dubravës është zbulim edhe u kryesve të kësaj masakre e i planifikuesve të saj.
“Më 19 maj 1999 filloi zbatimi i skenarit për vrasje masive të burgosurve shqiptarë, ku forcat policore serbe bashkë me gardianët e burgut me disa nga të burgosurit më kriminal serb shtinin me armë dhe bomba ndaj të burgosurve shqiptarë përgjatë pesë ditëve në vijim. Kësisoj më 24 maj 1999 nga rreth 980 të burgosur sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës, një u zhduk pra Ukshin Hoti.. 117 të burgosur u vranë, kurse 300 të tjerë u plagosën….zbulimi i masakrës së Dubravës është zbulim edhe i kryesve të kësaj masakre i planifikuesve të skenarëve të saj, i urdhërdhënësve, por edhe i zbatuesve”, tha ai.
Nga Dubrava Kurti bëri thirrje që Prokuroria Speciale të filloj hetimet për këtë masakër dhe inicimin e proceseve gjyqësore.
“Bëjë thirrje përsëri që Prokuroria Speciale e Kosovës të filloj zhvillimin e hetimeve për ketë masakër dhe inicimin e proceseve gjyqësore për të dhe nuk ka vend më të përshtatshëm për ta bërë këtë thirrje sesa pikërisht ku ne jemi të fort dhe të gjallë… Kriminelët e luftës të çdo rangu dhe përgjegjësie duhen hetuar dhe ndjekur penalisht, sepse krimet e luftës nuk harrohen, nuk vjetërsohen dhe nuk falën asnjëherë, asnjëri prej tyre në asnjërin rast”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së ish-të burgosurve politik, Shefik Sadiku duke kujtuar të gjithë të burgosurit që u vranë nga nëntëmbëdhjetë maji deri më njëzet e katër maj njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë, tha se kjo masakër ka qenë plan i Serbisë i cili u aktivizua pas fillimit të bombardimeve të NATO-së. Sipas tij, qëllimi ishte të fajësohej NATO-ja për këtë krim.
“Pas fillimit të bombardimeve të NATO 24 mars 1999, Qeveria e Serbisë e aktivizoi planin e masakrës në burgun e Dubravës për ta fajësuar NATO-në se ata janë fajtorë në krye të kësaj propagandës, Aleksandër Vuçiq, të filin diplomacio evro-amerikane edhe sot e ledhaton duke e mbajtur”, tha ai.
Sadiku kërkoi nga qeveria e ardhshme që të procedojnë një ligj për masakrën e Dubravës që t’u mundësoj ish-të burgosurve për të dhënë dëshmi pa pagesë si dhe të ngrisin padi individuale.
“Kërkojmë nga qeveria e Kosovës e cila duhet të themelohet së shpejti që ta procedoj një ligj për masakrën/ gjenocidin në burgun e Dubravës të vitit 1999 që t’iu mundësohet ish të burgosurve për të dhënë dëshmi personale në Prokurorinë pa pagesë, të ngrisin padi personale dhe të udhëzohen profesionalisht për gjenocidin e shtetit serb të cilët e kanë kryer mbi ta në burgun e Dubravës prej 19-24 maj 1999, sepse shumica e tyre po vdesin me këtë breng. Gjithashtu të udhëzohen familjet e ish të vrarëve në burgun e Dubravës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për ta paditur shtetin e Serbisë për vrasjet e më të dashurve të tyre”, tha ai.
Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.