Një shkollë private në Kosovë raportohet të mos ketë pranuar të regjistrojë një fëmijë me sindromën Down

Një fëmijë raportohet të mos jetë pranuar në një shkollë private në Kosovë, duke refuzuar regjistrimin e tij për shkak të Sindromës Down. Për këtë reagim ka bërë edhe Burim Sopa, prindi i vajzës, Nisa. Ai e ka cilësuar këtë qasje diskriminuese dhe përjashtuese duke theksuar se është e papranueshme në një shoqëri që synon…

Lajme

22/05/2025 14:42

Një fëmijë raportohet të mos jetë pranuar në një shkollë private në Kosovë, duke refuzuar regjistrimin e tij për shkak të Sindromës Down.

Për këtë reagim ka bërë edhe Burim Sopa, prindi i vajzës, Nisa.

Ai e ka cilësuar këtë qasje diskriminuese dhe përjashtuese duke theksuar se është e papranueshme në një shoqëri që synon të ndërtojë vlera demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

“Refuzimi i vajzës së vogël, Nisa, për të ndjekur mësimet në një institucion arsimor nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një fëmije dhe një familjeje – është një dështim institucional dhe moral që i bën dëm të gjithë shoqërisë”, ka shkruar Sopa.

Tutje ai tha se nuk do të ndalen deri sa të gjejnë drejtësi, duke theksuar se pavarësisht prejardhjes, gjendjes shëndetësore apo aftësive të tij, të ketë të drejtën dhe mundësinë e barabartë për edukim, zhvillim dhe jetë me dinjitet.

“Fëmijët si Nisa nuk kërkojnë mëshirë – ata meritojnë mundësi. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve neve”, shkroi ai.

“I bëjmë thirrje publike:

British School of Kosova që të rishqyrtojë menjëherë vendimin e saj, të kërkojë falje publike dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës;

Të gjitha institucionet shkollore, publike e private, që të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme, duke mos lejuar që paragjykimet dhe praktikat diskriminuese të bëhen normë;

Institucioneve shtetërore dhe veçanërisht Ministrisë së Arsimit, që të marrin këtë rast me prioritet absolut, të hetojnë situatën dhe të sigurojnë që të gjitha shkollat në vend të jenë të obliguara të respektojnë ligjet për të drejtat e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në arsim”, ka theksuar Sopa në postimin e tij. /Lajmi.net/