Këta janë dy të arrestuarit për shpërndarje të ideologjive për organizata terroriste- Prokuroria njofton se janë dy raste të ndara

Policia e Kosovës ka realizuar së fundi një operacion të gjerë policor e që lidhet me luftimin e terrorizmit. Policia si fillim  njoftoi se nga ky aksion në pranga kanë përfunduar dy persona të dyshimtë. E të arrestuarit në këtë rast janë Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu. Aksioni për arrestimin e dy të dyshuarve u…

Lajme

22/05/2025 13:42

Policia e Kosovës ka realizuar së fundi një operacion të gjerë policor e që lidhet me luftimin e terrorizmit.

Policia si fillim  njoftoi se nga ky aksion në pranga kanë përfunduar dy persona të dyshimtë.

E të arrestuarit në këtë rast janë Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu. Aksioni për arrestimin e dy të dyshuarve u zhvillua në Fushë Kosovë dhe në Malishevë.

E sipas njoftimeve zyrtare, që të dy kanë përdorur rrjetet sociale për të bërë shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste.

“Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale.Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”,thuhej nga policia.

E gjithashtu sipas informacioneve të deritanishme njëri nga të arrestuarit ka dy vëllezër vrarë në konfliktin në Siri, e tjetri është i njohur për Policinë.

Në lidhje me këtë zhvillim, lajmi.net ka kontraktuar Prokurorinë Speciale nga ku është konfirmuar se këto janë dy raste të ndara- pavarësisht arrestimit në të njëjtën ditë.

Po ashtu u theksua se prokurori ka kërkuar tashmë caktimin e masës së paraburgimit.

“Në këtë fazë ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Mund të konfirmojmë se rastet janë të ndara”,thuhet në përgjigje.

Gjithashtu u theksua se “prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

Ditë më parë Policia në bashkëpunim me prokurorinë zhvilluan edhe disa aksione që lidheshin me të dyshuar për “terrorizëm”./Lajmi.net/