Kallas nesër viziton Kosovën, takimet me krerët e partive pritet të mbahen në zyrën e BE-së
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur sot një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, nesër pritet të arrijë në Prishtinë. BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa…

Lajme
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur sot një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, nesër pritet të arrijë në Prishtinë.
BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e Brukselit.
Takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE-së në Prishtinë të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve tjerë.
Express raporton se kreu i AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë njëri nga liderët që do ta takojë Kallasin nesër në ora 18:40, ndërsa nga LDK në takimin e ndarë me Kallas pjesëmarrës do të jenë Kryetari Lumir Abdixhiku, Nënkryetari Lutfi Haziri dhe Nënkryetarja Doarsa Kica -Xhelili.
Për dallim nga Presidenti Këshillit të BE’së i cili e takoi Kryeministrin në largim Albin Kurti në zyrën e tij, në njoftimin e BE’së nuk përmendet ndonjë takim i veçantë me Kurtin. Me gjasë edhe Kurti nga Kallas trajtohet nga BE si lider partie e jo si kryeministër në detyrë siç e quan ai veten e kryeministër në largim siç i referohet zyra e BE’së.Sidoqoftë partitë ende s’kanë publikuar ndonjë agjendë zyrtarë rreth takimeve të nesërme.