Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili pas shpërthimit të gripit të shpendëve

Kosova ka vendosur ta ndalojë përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, ka bërë të ditur të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Masa është marrë pasi Brazili konfirmoi të premten shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa tha se po heton raste të tjera të dyshuara. Autoritetet…

Lajme

20/05/2025 09:54

Kosova ka vendosur ta ndalojë përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, ka bërë të ditur të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Masa është marrë pasi Brazili konfirmoi të premten shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa tha se po heton raste të tjera të dyshuara.

Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi për ndalimin e mishit të pulës nga Brazili “synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”.

Edhe Bashkimi Evropian njoftoi një ditë më parë se Brazilit, eksportuesit më të madh të shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor të mishit të shpendëve në BE, ia ka ndaluar të dërgojë produkte shpendësh dhe mishi në vendet e bllokut.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se masa “do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.

“Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Njoftimi i plotë:

Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili pas shpërthimit të gripit të shpendëve.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, duke filluar nga data 20 maj 2025, ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili. Kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane.
Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.

Ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit.

Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”./Lajmi.net/