Mbrojtja thotë se deklaratat e Shalës u përdorën si bazë që ai u shpall fajtor

Jean-Louis Gilissen i cili udhëheq ekipin mbrojtës të Pjetër Shalës, ka thënë se deklaratat e mëhershme të klientit të tij- janë bazë mbi të cilën ai u shpall fajtor- për çka i është shkaktuar dëm atij. “Deklaratat e 2019-ës janë përdorur më së paku në 10 raste dhe janë përdorur si baza për të shpallur…

Lajme

15/05/2025 15:55

Jean-Louis Gilissen i cili udhëheq ekipin mbrojtës të Pjetër Shalës, ka thënë se deklaratat e mëhershme të klientit të tij- janë bazë mbi të cilën ai u shpall fajtor- për çka i është shkaktuar dëm atij.

“Deklaratat e 2019-ës janë përdorur më së paku në 10 raste dhe janë përdorur si baza për të shpallur fajtor zotin Shala dhe këtu kemi një problematikë shumë të madhe juridike, cenim të drejtës së zotit Shala për gjykim të drejtë”, tha Jean-Louis Gilissen.

Ai tha se i mbrojtje kanë pasur vështirësi dhe probleme në procedurat që ka ndjekur trupi gjykues në zbatimin e ligjit në vendimin që e ka lëshuar ndaj Shalës.

“Ne besojmë që kemi pasur vështirësi të mëdha me vendimin-aktgjykimi e trupi gjykues. Ka probleme në procedurën e ndjekur nga trupi gjykues si dhe në zbatimin e ligjit siç përmendet në vendimin e lëshuar nga paneli i palët më 16 korrik 2024”, tha ai.

Ai shtoi se mënyra se janë përdorur këto deklarata të Shalës nga trupi gjykues është problematike.

Mbrojtja e kishte fjalën për deklaratat e Shalës në vitet paraprake konkretisht më 2015-2016, në të cilat është mbështetur ai edhe kur e ka intervistuar Prokuroria më 2019.

“Ne besoj që kemi probleme reale dhe të mëdha sa i takon faktit që paneli është mbështetur në disa prej deklaratave të Shalës dhe gjykojmë që vendimi për t’i përdorur disa prej deklaratave dhe mënyrën se si i përdori trupi gjykues është problematike…Vendimi se për të pranuar disa deklarata të dhëna prej Shalës dhe për t’i përdorur ato në mënyrën si janë përdorë për Shalën, janë baza që i kanë shkaktuar një dëm shumë të madh- gjegjësisht shpallja fajtor për tri vepra për krime lufte”, tha ai.

Jean-Louis Gilissen tha se në vitet paraprake, Shala është marrë në pyetje edhe pa praninë e ndonjë avokati, duke iu referuar edhe disa intervistave nga Policia Federale Belge.

Ai tha se iu është cenuar Shalës e drejta për të drejtë juridike gjatë intervistave të cilat u përdorën si prova që pasuan me aktgjykimin ndaj tij.

Jean-Louis Gilissen tha se janë disa elemente dhe disa prova që përmenden por që nuk gjenden  në dosjen gjyqësore.

“Deklaratat e 2019-ës janë përdorur më së paku në 10 raste dhe janë përdorur si baza për të shpallur fajtor zotin Shala dhe këtu kemi një problematikë shumë të madhe juridike, cenim të drejtë së zotit Shala për gjykim të drejtë”, tha Jean-Louis Gilissen.

Ai pyeti se si ka mundësi që të përdoren në këtë formë deklaratat e një të akuzuari pa u verifikuar dhe konstatuar.

“Si ka mundësi që deklaratat që ka bërë vetë një i akuzuar që nuk janë verifiku dhe kontestu në një seancë, si mund të përdoren në këtë formë. Është e rëndësishme që të merren parasysh pranimi i deklaratave të pakontestuara në një proces gjyqësor”, tha ai.

Jean-Louis Gilissen tha se as dëshmia e një dëshmitari nuk mund të pranohet pa u verifikuar e lëre më për një të akuzuar.

“Askush nuk mund të mbështetet ekskluzivisht ose në një shkallë të konsiderueshëm të deklaratave të një dëshmitari. Zoti Shala nuk ka qenë dëshmitar por ai ka qenë dhe është i akuzuar”, tha Jean-Louis Gilissen.

Avokati shtoi se asnjë prej incizimeve të deklaratave të mëhershme të Shalës nuk iu është dhënë mbrojtjes dhe mbrojtja ka interesin që ta verifikojë. Veç kësaj, ai thotë që incizimi ka humbur.

“…sepse incizimi ka humbur. Pra, ka humbur. Ne jemi në kushte që nuk dimë asgjë se çfarë ka mbajtur ky incizim”, tha Gilissen.

Jean-Louis Gilissen u shpreh se as mbrojtja dhe as gjykatësit nuk e verifikojnë cilësinë e elementeve të administruara nga prokurori në këtë lëndë gjyqësore dhe për këtë trupi gjykues nuk ka thënë asgjë në vendimin e tyre.

“Trupi gjykues ka thënë se deklaratat e Shalës dhe po citoj “nuk ja kanë dalë të diskreditojnë provat e paraqitura në gjykim”, më falni, por nuk ka pse ta bëjë mbrojtja këtë. Nuk është kjo detyra jonë. Mbrojtja nuk ka pse të diskreditojë deklaratat e zotit Shala. Shala thjesht ka paraqitur qëndrimin e tij dhe nuk ka pse t’i vendoset barra e provës në shpatullat e tij”, tha ai.

Jean-Louis Gilissen thotë se është marrë parasysh edhe heshtja e Shalës lidhur me disa çështje për çka ka pasur efekt negativ me arsyetimin se u cenua prezumimi i pafajësisë ndaj tij.

“Trupi gjykues mori parasysh edhe heshtjen e zotit Shala për disa çështje e që sipas mbrojtjes pati efekt negativ sepse u cenua prezumimi i pafajësisë së klientit të tyre”, tha ai.

Jean-Louis Gilissen tha se deklaratat e 2019-ës të Shalës për Prokurorinë janë pasim i deklaratave të 2016-ës ku ato u morën pa prezencën e një avokati.

“Një gjë është e sigurt që deklaratat e Shalës më 2019 nuk do të kishin qenë të njëjtat në qoftë se deklarata e 2016-ës nuk do të kishte ekzistuar ose në qoftë se hetuesit nuk do i kishin marrë fare parasysh ato”, tha ai.

Mbrojtja kontestoi pranimin në prova materiale të deklaratave të mëhershme të Shalës, me arsyetimin se ato janë realizuar pa u njoftuar klienti i tyre për të drejtën për ndihmë juridike.

“Deklaratat janë pjesë e provave që është mbështetur vendimi i fajësisë”, tha ai.

Veç kësaj, avokati tha se trupi gjykues ka dështuar që të ofrojë siguri për provat që janë ofruar gjatë administrimit gjyqësor.

“Trupi gjykues duhet të vendos sa i takon pranueshmërisë së provave të paraqitura para trupi gjykues. Trupi gjykues duhet të përcaktojë nëse duhet të pranohen ose jo dhe për ta bërë diçka të tillë duhet të lëshojë vendim pranueshmërinë lidhur me të gjitha provat që janë paraqitur përpara tij. Sigurisht, koha për lëshimin e vendimeve të tilla është thelbësore dhe është thelbësore për të gjitha palët e në veçanti për mbrojtjen sepse për ne është e domosdoshme që të jemi të informuar dhe të jemi të informuar për provat e punueshme në prova gjyqësore”, tha ai.

Ai tha se duhet të informohen se cilat janë provat kundër të akuzuarit dhe të informohen se pse kjo është një provë kundër të akuzuarit dhe jo një provë tjetër.

Jean-Louis Gilissen tha se përveç të drejtave të Shalës, trupi gjykues ka cenuar edhe punën e të drejtat e mbrojtjes.

Ndryshe, gjatë ditës pritet që në emër të Prokurorisë të flasë prokurori Filippo De Minicis. Ndërsa nesër, parashtrimet do t’i bëjë mbrojtësi i viktimave.

Seanca e Apelit, Shala kishte dorëzuar 14 pika kundër vendimit të Themelores që e dënoi me 18 vjet burgim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar seanca e Apelit ndaj Pjeter Shalës, në të cilën ai është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Aty u bë e ditur se Shala kishte dorëzuar 14 pika apelimi kundër vendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ai u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në apelimin e tij, sipas gjyqtares Michele Picard, Shala ka thënë se trupi gjykues në rastin e tij ka kryer gabime juridike dhe faktike, si dhe ka gabuar në dhënien e dënimit.

Si rrjedhojë, sipas kërkesës, gjyqtarja thotë se Shala ka kërkuar që të anulohet dënimi ndaj tij dhe të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat. Po ashtu, si alternativë është kërkuar kthimi i çështjes në rigjykim dhe nëse është nevojshme të jepet një dënim i duhur për të.

Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave e kanë kundërshtuar apelimin, duke kërkuar që kërkesa e Shalës të rrëzohet tërësisht ose pjesërisht.

Ndryshe, më 28 mars 025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, kishte dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim  ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi