Institucionet nuk formohen as tre muaj pas zgjedhjeve, BE: Formimi i shpejtë i qeverisë është thelbësor për Kosovën që të përparojë
Veçse janë bërë tre muaj prej kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, me qëllimin për ta formuar Kuvendin dhe institucionet e tjera sa më parë. Por, kjo nuk po ndodh ende. Këto zgjedhje në Kosovë, dhe të gjitha procedurat pas tyre u zvarritën shumë. Duke filluar nga numërimi i votave, certifikimi i rezultateve e…

Lajme
Veçse janë bërë tre muaj prej kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, me qëllimin për ta formuar Kuvendin dhe institucionet e tjera sa më parë. Por, kjo nuk po ndodh ende.
Këto zgjedhje në Kosovë, dhe të gjitha procedurat pas tyre u zvarritën shumë. Duke filluar nga numërimi i votave, certifikimi i rezultateve e shumëçka tjetër u realizua me vonesë nga ky proces zgjedhor. Por edhe më e vështirë u bë situata sa i përket konstituimit të Kuvendit, e që duket se nuk do të ndodh edhe për shumë kohë, e gjithë kjo për shkak të “inateve” politike të cilat kanë zënë vend në këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryekuvendare por ajo nuk po ia del t’i marrë votat e nevojshme për të marrë këtë pozitë.
PDK, LDK dhe AAK që nga 15 prilli kanë dal kundër votimit të Haxhiut pasi që sipas tyre është një “figurë përçarëse” dhe Kuvendit të Kosovës i duhet një “figurë unifikuese” për ta udhëhequr. Këto parti duke shpresuar se do t’i ndihmojnë VV-së dhe Kosovës për ta zhbllokuar këtë situatë- kanë propozuar disa emra të tjerë që do të mund t’i merrnin votat e tyre pro, por Vetëvendosje ka vendosur që të mos e ndryshojë emrin e Haxhiut.
Shqetësuese është bërë situata e krijuar në Kuvend e cila edhe pas 15 seancave nuk po arrin të zhbllokohet, të formohet Kuvendi i Kosovës dhe të vazhdohet me procedurat e formimit të Qeverisë. Përveç qytetarëve të Kosovës , të shqetësuar janë shprehur edhe ndërkombëtarët.
Bashkimi Evropian në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se po i ndjekin nga afër zhvillimet dhe mbeten me shpresë që procesi i konstituimit të Kuvendit do të përfundoj së shpejti.
“Formimi i shpejtë i qeverisë është thelbësor që Kosova të përparojë përmes reformave të rëndësishme në të gjithë sektorët që do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardet e jetesës së popullit të Kosovës”,thuhet në përgjigjen e tyre.
Gjithashtu u tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm për bashkëpunim me qeverinë e re.
“BE-ja është e gatshme të punojë ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet, dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, kanë thënë nga BE për lajmi.net.
Nga shtetet e QUINT-it dhe BE-ja, shqetësimin e tyre për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit ia kanë thënë edhe vetë kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit në një takim që e kanë mbajtur të hënën në zyrën e kryeministrit.
Kjo “maratonë” seancash po ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës që prej konstituimit të Kuvendit të parë të Kosovës.
Për zhbllokimin e situatës, po mundohet të gjej zgjidhje edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i ka ftuar në takim të enjten me 15 maj, krerët e partive politike.
Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka thënë për lajmi.net se të gjitha partitë politike e kanë pranuar ftesën e saj për takim.
Seanca e 16-të me radhë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, në ora 10:30, 48 orë pas seancës së kaluar e cila përfundoi pa rezultat, shkruan lajmi.net.
Tash e disa seanca, pika e parë e rendit të ditës është votimi i komisionit për votim të fshehtë, e që kjo nuk po votohet fare nga opozita, pasi sipas tyre është jokushtetuese të ndryshohet mënyra e votimit në gjysme të procesit të konstituimit të Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese për komentim, dokumentin e plotë të vendimeve që janë marrë në seancat konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Zgjidhja e këtij “ngërçi politik” nga analistët dhe njohësit e politikës në vend, po pritet të ndodh pas takimit të krerëve të partive politike me presidenten Vjosa Osmani, ftesë kjo e cila është konsideruar e drejtë nga ta.
Nëse konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk ndodh, Osmani ka të drejtë ta dërgoj vendin në zgjedhje të reja (pas dakordimit në mes partive) e të cilat mund të sjellin rezultat tjetër për të gjitha partitë politike. Ideja e zgjedhjeve të reja është propozuar nga partitë opozitare dhe sipas tyre nëse Osmani e merr këtë vendim, do të ishte i mirëpritur për ta. /Lajmi.net/