Hemodializa në Prizren: Shpresë për qindra pacientë nga Kosova dhe Shqipëria
Për njëzetenjë vjet me radhë, Afërdita Dida nga Kukësi bën rrugën tri herë në javë drejt Prizrenit për t’iu nënshtruar seancave të hemodializës – një trajtim jetik për të. E gjithë kjo periudhë, sipas saj, ka kaluar me kujdes dhe përkushtim nga stafi i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, përkundër kushteve që dikur nuk ishin…

Lajme
Për njëzetenjë vjet me radhë, Afërdita Dida nga Kukësi bën rrugën tri herë në javë drejt Prizrenit për t’iu nënshtruar seancave të hemodializës – një trajtim jetik për të. E gjithë kjo periudhë, sipas saj, ka kaluar me kujdes dhe përkushtim nga stafi i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, përkundër kushteve që dikur nuk ishin optimale. Megjithatë, sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Rinovimet e bëra në këtë repart kanë mundësuar shërbime më cilësore për pacientët e kushte më të mira për personelin shëndetësor.
Dida, e cila udhëton me furgonin e siguruar nga shteti shqiptar, shprehet tejet e kënaqur me përkujdesjen dhe ambientet aktuale të repartit. Ajo nuk është e vetme janë edhe gjashtëmbëdhjetë qytetarë të tjerë nga Shqipëria që marrin shërbimin e dializës në Prizren.
“21 vite këtu mos e ke merak shumë mirë kemi kaluar na kanë shërbyer mirë si motrat, si doktorët… 21 vjet këtu kam kaluar shumë mirë… Na kanë respektuar… Me furgon na sjellin, shteti na paguan… Në Kukës nuk ka një dializë me na e bë një dializë”, thotë ajo.
Përveç pacientëve nga Shqipëria, një numër i konsiderueshëm i banorëve lokal i nënshtrohen çdo javë hemodializës. Njëri prej tyre është Agron Tarjani nga Prizreni, i cili tashmë prej tetë vitesh vjen nga fshati Pirana për këtë trajtim.
“Shumë mirë po kalojmë, që tetë vjet… Stafi është shumë i mirë, punëtorët janë shumë të mirë, në rregull po shkon…Vijë tri herë në javë nga Pirana e Prizrenit…. [Sa ua ka lehtësuar trajtimin] Shumë, është investim i qëlluar dhe e falënderoj investitorin që e ka bërë bash me vend”, deklaron ai.
Reparti i Hemodializës në Prizren, sipas shefit të repartit, Rexhep Hapçiu, aktualisht kujdeset për dyqindekatërmbëdhjetë pacientë nga komuna dhe rrethina e Prizrenit.
Po ashtu, edhe shtatëmbëdhjetë pacientë nga Kukësi trajtohen rregullisht në këtë qendër.
E për të përmbushur nevojat, është hapur edhe një qendër satelitore në Rahovec, ku dializohen tetëmbëdhjetë pacientë të tjerë.
“Reparti i Hemodializës ofron shërbimin për dyqindekatërmbëdhjetë pacientë të Komunës së Prizrenit. Këtu vijnë pacientë nga Komuna e Prizrenit dhe nga rrethina… Plus i kemi edhe 17 pacientë që na vijnë nga regjioni i Kukësit, nga Republika e Shqipërisë. Për momentin i kemi edhe 18 pacientë që dializohen e kemi hapur një qendër satelitore në Rahovec dhe dialozohen atje të Komunës së Rahovecit… Gjatë sezonës së verës këtu na vijnë edhe bashkatdhetarët që janë jashtë në dializë, prej tridhjetë deri pesëdhjetë pacientë na vijnë prej muajit qershor deri në shtator. Në vit ne i bëjmë deri në tridhjetekatërmijë seanca të dializës”, thotë ai.
Sipas shefit të repartit të Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, aktualisht, reparti disponon dyzetegjashtë aparate funksionale dhe të njëjtin numër shtretërish.
Për më tepër, furnizimi me ilaçe është stabil, dhe nuk janë raportuar vështirësi në ofrimin e trajtimit.
“Këtu kanë bërë renovimin e tërësishëm të tri sallave, të korridoreve, të banjove veç ka mbetur një projekt i vogël për tu përmirësuar, oborri dhe fasada jashtë… Na kanë ndihmuar tepër, ndryshe është pastërtia, përpara sallat kanë qenë me pllaka, tash është ky material, është me epoksë është material më hegjienik dhe më pak bakterial… Për momentin i kemi tri salla një sallë i ka tetëmbëdhjetë, një tjetër tetëmbëdhjetë dhe në sallën e tretë dhjetë gjithsej. I kemi dyzetegjashtë aparate dhe dyzetegjashtë shtretër. Për momentin reparti i dializës funksionon mirë. Pacientët janë të furnizuar edhe me ilaçe nuk ka pasur telashe në dializë”, thekson nefrologu Hapçiu.
Se kushtet e reja kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve, si për pacientët ashtu edhe për personelin, thotë edhe kryeinfermieri Valmir Avdaj.
“Pacientëve këto kushte ua kanë lehtësuar shumë ndihmën për shërbimet e marra për kushtet e shërbimet, së dyti edhe për infermierët tashmë i kemi kushtet shumë më moderne dhe shumë më higjienike. Tash, neve na mbetet të jemi në shërbim të pacientëve… Momentalisht jemi tridhjetë infermierë, katër prej tyre janë në qendrën e dializës në Komunën e Rahovecit”, thekson ai.
Ky transformim i repartit të Hemodializës në Spitalin e Prizrenit është bërë i mundur falë investimit të familjes Sopaj.