Ngjarja tragjike e Festim Isufit dhe gruas së tij- Prokuroria deklarohet për rastin dhe hetimet që po bëhen
Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së premtes në Prishtinë. Një mashkull u raportua të ketë vdekur dhe një femër mbeti e plagosur. Bëhet fjalë për rastin e dizajnerit kosovar, Festim Isufi dhe gruas së tij. Pikërisht në një prej ndërtesave që gjenden tek “Rruga B” në Prishtinë, zyrtarë të shumtë policorë kishin rrethuar…

Lajme
Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së premtes në Prishtinë.
Një mashkull u raportua të ketë vdekur dhe një femër mbeti e plagosur.
Bëhet fjalë për rastin e dizajnerit kosovar, Festim Isufi dhe gruas së tij.
Pikërisht në një prej ndërtesave që gjenden tek “Rruga B” në Prishtinë, zyrtarë të shumtë policorë kishin rrethuar vendin me shirita që nënkuptonin rastin tragjik të ndodhur aty.
Sipas raportimeve të para nga ky rast theksohej se Festim Isufi kishte “vrarë veten” dhe kishte “plagosur bashkëshorten e tij”, Rina Maloku.
Festim Isufi dhe Rina Maloku që të dy me prejardhje nga Gjilani ishin bashkë prej disa vitesh dhe të njëjtit edhe po bashkëjetonin. Dyshja ishin bërë të njohur në publik prej shumë vitesh dhe punonin bashkë në fushën e modës.
Përpos kësaj, si Festimi po ashtu dhe Rina nuk njiheshin të kishin pasur ndonjë problem me ligjin. Madje në fakt ishte edhe modelja e përhershme e fustaneve dhe veshjeve që krijonte i lartcekuri. Ai çdoherë publikonte krijimet e tij duke i veshur Rina- e duke e zgjedhur si modelen e tij.
Por çfarë u tha se ndodhi aty?
Si fillim u raportua se situata e rëndë kishte ndodhur në një prej klinikave dentare në këtë vend- por nga kjo klinikë më pas theksuan se në fakt gruaja në fjalë, Rina kishte kërkuar ndihmë tek ta ku edhe ishin thirrur Emergjenca dhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 15:00 një vajzë e plagosur me armë të ftohtë (thikë) ka hyrë në hyrjen e objektit ku ndodhet ordinance jonë, duke kërkuar ndihmë dhe strehim. Stafi i Alba Dent ka reaguar menjëherë duke i ofruar ndihmën e parë mjekësore dhe duke kontaktuar menjëherë shërimin emergjent dhe Policinë e Kosovës”.
E ky rast nga Policia e Kosovës u cilësua si “hetim mbi vdekjen”.
Zyrtarisht nga policia u tha se tashmë viktima dyshohet se fillimisht ka therur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka goditur veten.
“HETIM MBI VDEKJEN- Rr. B, Prishtinë 09.05.2025, 15:08. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, dyshohet se fillimisht ka ther me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka goditur veten. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore si dhe njësia e Emergjencës ku kanë konstatuar vdekjen e tij. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.”
Kurse sa i përket të plagosurës në këtë rast, Drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla atë ditë deklaroi se gjendja e 30 vjeçares ishte stabile dhe se s’ka lëndime serioze.
“Po është trajtuar në Qendrën emergjente. Ajo është lëshuar në përcjellje të policisë, s’ka serioze asgjë”, ka thënë Syla.
E shumë prej qytetarëve po merren nga afër me këtë rast -duke e cilësuar si të çuditshme vdekjen e dizajnerit.
E në lidhje me këtë ngjarje tragjike, lajmi.net ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Të njëjtit nuk kanë dhënë detaje shtesë, duke theksuar se tani për tani duke pasur parasysh rrethanat nuk mund të ofrojnë përgjigje më të gjerë.
“Lidhur me pyetjen të cilën e keni parashtruar ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka hapur rastin ”Hetim mbi vdekjen” në të cilën është duke proceduar rastin në fjalë.Tani për tani nuk mund të ofrojmë përgjigje të detajuara sepse duhet të kemi në konsideratë rrethanat që kanë të bëjnë me zbatimin e masave për mbrojtjen e informacioneve konfidenciale”,thuhet në përgjigje.
Derisa nga ky rast nuk janë dhënë ende detaje specifike- se çfarë çoi deri tek kjo situatë varrimi i të ndjerit është bërë në qytetin e Gjilanit.
Bashkë me shumë familjarë e miq aty ishte edhe Rina- e cila i dha lamtumirën e fundit njeriut me të cilin po ndante jetën prej shumë vitesh.
Derisa rasti po vazhdon të hetohet, nga Policia dhe Prokuroria po merren parasysh të gjitha rrethanat që mund të kenë pasur ndikim tek kjo situatë e krijuar atë ditë./Lajmi.net/