Sekuestrohen mbi 2 milionë euro pasuri në rastin “Mati”- 20 njësi banesore, lokale e garazha
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policia e Kosovës (PK) njoftojnë se me urdhër të gjykatës janë sekuestruar mbi 2 milionë euro pasuri. PSRK njofton se është duke zhvilluar hetime intensive në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare, në rastin e koduar me emrin “Mati”, ku gjatë muajit shtator të vitit…

Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policia e Kosovës (PK) njoftojnë se me urdhër të gjykatës janë sekuestruar mbi 2 milionë euro pasuri.
PSRK njofton se është duke zhvilluar hetime intensive në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare, në rastin e koduar me emrin “Mati”, ku gjatë muajit shtator të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të këtyre hetimeve, deri tash pasuria e sekuestruar kap vlerën rreth 2,286,054.00 Euro.
“Kjo pasuri shtesë është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale, në emrin e të dyshuarit Sh.C., e cila me urdhër ndalues përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special është sekuestruar, si në vijim: 20 (njëzet) njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 Euro; 02 (dy) lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 Euro; 17 (shtatëmbëdhjetë) vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 Euro; 6 (gjashtë) depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se rasti është nën hetime në drejtim të veprës penale “Shpëlarja e parasë”.