E premtja “e zezë” në Kosovë – vdekje, dhunë, kanosje e therje

E premtja e 9 majit në Kosovë shënoi një numër të madh të rasteve kriminale në vend, duke prirë me të mitur që kryejnë vepra penale e burra që sulmojnë gratë ose ish-gratë e tyre. Edhe sot një 19 vjeçar plagosi motrën e tij në Ferizaj. Këto raste, sipas njohësve të sigurisë, po ndodhin shkaku…

Lajme

10/05/2025 23:57

E premtja e 9 majit në Kosovë shënoi një numër të madh të rasteve kriminale në vend, duke prirë me të mitur që kryejnë vepra penale e burra që sulmojnë gratë ose ish-gratë e tyre.

Edhe sot një 19 vjeçar plagosi motrën e tij në Ferizaj. Këto raste, sipas njohësve të sigurisë, po ndodhin shkaku i dështimit të disa hallkave në vend, ndërkaq zyrtarë në detyrë të Ministrisë së Drejtësisë thonë që duhet një punë kolektive për ndryshimin e gjendjes.

Një 25 vjeçare  ka mbetur e plagosur nga vëllai i saj, 19-vjeçar në Ferizaj këtë të shtunë.

Viktima është jashtë rrezikut për jetë ndërkaq i dyshuari që kishte ikur nga vendi i ngjarjes është arrestuar më vonë nga policia, ku është sekuestruar edhe arma e zjarrit.

Motivet mbetën ende të panjohura njëjtë sikurse një ditë me parë që në rrugën B në Prishtinë, dyshohet se një burrë goditi me thikë bashkëshorten e tij në dorë, e pastaj i shkaktoi edhe vetes lëndime vdekjeprurëse.

Raste të tilla të tjera, që fatmirësisht nuk përfunduan me fatalitet, ishin të shumta të premten.

Rreth orës 15:00, në rrugën Astrit Rrushi pati edhe vrasje të mbetur në tentativë, ku drejt një personi, derisa ishte duke ecur, u qëllua me armë zjarri, por askush nuk u lëndua.

E në mbrëmje, pikërisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, një i mitur mbeti i therur me thikë pas një përleshjeje fizike mes disa personave.

Jo në shesh, por në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, gjithashtu një i mitur provoi të godasë me thikë disa bashkëmoshatarë pas një mosmarrëveshjeje në rrjetet sociale.

Një grua u kanos gjithashtu nga djali i saj në Prishtinë.

E kanosje pati edhe në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, kur u nxorën thikat pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci thotë që rastet kaq shumë të dhunës janë pasojë e dështimit të disa hallkave të shoqërisë.

“Ne duhet të gjejmë shkakun se ku këta qytetarë marrin edhe guximin që të lëndojnë njëri-tjetrin kaq lehtë. Mendoj se gjithçka fillon nga familja, nga shkolla, nga institucionet e sigurisë, ndjekjes dhe të drejtësisë”, ka thënë Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.

Kurse, veçanërisht për rastet e dhunës në familje, përmes telefonit, këshilltarja politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Nazlie Bala, tha që si institucion e ministri kanë bërë maksimumin që po ndikon që rastet edhe të raportohen.

Por, që situata të ndryshojë, duhet një punë e të gjithëve.

“Nuk ka ndonjë shkop magjik që të eliminohet, sepse kjo është globale dhe nuk ndodh vetëm në Kosovë, por ndodh në gjithë botën. Ajo çka duhet ta cekim edhe në të ardhmen është ndërtimi i përgjigjes institucionale ndaj fenomenit”, ka thënë Nazlie Bala, Këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë.

Në Kosovë, në vitin 2025, ndodhën një sërë vrasjesh, ndër to edhe ajo ndaj zyrtarit policor në Kaçanik, Muhamed Lika.