Raportuesi i PE-së për Kosovën: Mosnjohja e saj është qesharake
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka tërhequr vëmendjen këtë javë gjatë prezantimit të raportit të tij për vendin në sallën plenare të Kuvendit Evropian. Me një gjest të rrallë në institucionet e BE-së, ai mbante në krah flamurin e Republikës së Kosovës – një simbolikë që nuk kaloi pa u vënë re.…

Lajme
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka tërhequr vëmendjen këtë javë gjatë prezantimit të raportit të tij për vendin në sallën plenare të Kuvendit Evropian. Me një gjest të rrallë në institucionet e BE-së, ai mbante në krah flamurin e Republikës së Kosovës – një simbolikë që nuk kaloi pa u vënë re.
Në raportin që u miratua nga eurodeputetët, Terras përmendi edhe sulmin terrorist të ndodhur më 29 nëntor në kanalin Ibër-Lepenc, për të cilin kërkoi vëmendje të shtuar. Por përveç kësaj, ai dërgoi mesazhe të fuqishme drejtuar vetë Bashkimit Evropian.
“Po planifikoj që bashkë me disa eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike të vizitoj ambasadorët e vendeve respektive në Bruksel. Në mënyrë që të marrë informacionet nga dora e parë se pse ata nuk e pranojnë faktin që Kosova është shtet-vend. Kjo është kështu për shumë vite. Dhe mos njohja e Kosovës, pas kaq kohe të gjatë është thjesht ‘qesharake’”, u shpreh ai.
Raporti i Terrasit kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi Kosovës në qershor të vitit 2023. Ai gjithashtu i bën thirrje pesë vendeve anëtare – Spanjës, Greqisë, Sllovakisë, Qipros dhe Rumanisë – që të ndryshojnë qëndrimin dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.
Nga ana tjetër, dokumenti i dërgon një sinjal të qartë edhe autoriteteve në Prishtinë: të thellojnë reformat dhe të hapin kapituj të rinj në dialogun me Serbinë, për të përparuar në rrugën drejt integrimit evropian.