Nderohet heroi Luan Haradinaj, cilësohet simbol i guximit dhe vendosmërisë për lirinë kombëtare
Sot janë bërë 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj. Me këtë rast, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, organizoi Akademi Përkujtimore. Në 28-vjetorin e rënies së tij, figura e Luan Haradinajt u kujtua si simbol i guximit dhe sakrificës për lirinë kombëtare, raporton KosovaPress. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ndërsa theksoi sakrificat…

Lajme
Sot janë bërë 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj. Me këtë rast, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, organizoi Akademi Përkujtimore.
Në 28-vjetorin e rënies së tij, figura e Luan Haradinajt u kujtua si simbol i guximit dhe sakrificës për lirinë kombëtare, raporton KosovaPress.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ndërsa theksoi sakrificat e mëdha që janë bërë për lirinë e shqiptarëve, ai vlerësoi lart figurën e Luan Haradinajt.
Tutje Ahmeti bëri thirrje për unitet mbarëkombëtar dhe thekson se pavarësisht dallimeve apo deklaratave të ndryshme, shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar në përballje me sfidat, për të garantuar të drejtat e tyre dhe për të avancuar drejt synimeve kombëtare.
“Luftën e fituam, e fituam me shumë sakrificë me shumë mund, ditëm të rreshtohemi edhe përball aleatëve. Lirin e kemi larë me gjak, nq çlirim na ndihmuan aleatet që u jemi mirënjohës, mirëpo misioni i Luanit nuk ishte i kryer sepse armët që ai kishte deponuar në viset shqiptare, në Maqedoni kërkonin veprim. Në përkujtime të tilla siç është rasti për Luanin, ja vlen që të jepen edhe porosi të tilla që shqiptarët si tërësi janë bashkë pavarësisht aty këtu të ndonjë deklarimi në kundërshtim me kauzën dhe fitoren me gjak që e kemi realizuar, por kjo nuk na ligështon që ne ballë lartë sy patrembur të ju themi gjithë atyre që duan të cenojnë të drejtën tonë që duan të na pengojnë në ardhmërinë tonë që Kosova të afroj drejt synimeve të veta, shqiptarët e Maqedonisë të materializojnë përfundimisht të arriturat e tyre”, theksoi ai.
Ish-ushtari i UÇK-së, Kudusi Lama, në përkujtim të Luan Haradinaj thekson sa ai ishte i përkushtuar ndaj luftës për liri që nga familja dhe mjedisi i tij. Sipas tij, ai nuk zgjodhi rehatinë, por veprimin dhe sakrificën për të ardhmen e atdheut.
“Luani nuk ishte adresë tjetër përveç luftës për liri sepse pragu i portës i familjes së tjj aty e orientoi. Mund të shkosh shumë larg, në teori e teorizim, por të mbetesh duke u zbavitur në praktikën e veprimit kombëtar e zhvillimit shoqëor, po nuk je njeri i veprimit dhe guximit por nuk je i dashuruar me të ardhmen, ai që pajtohet me gjendjen kurrë nuk mundë të ketë vizion për të ardhmen. Luan Haradinaj nuk kishte kohë të zvarritej për të gjetur rahatin, ai ishte luftëtar. E luftëtarët asnjëherë nuk vrapojnë drejt një të panjohure, por drejt një vizioni sepse ata e shikojnë qartë të ardhmen e atdheut të tyre”, theksoi Lama.
Ndërsa organizatori i kësaj ceremonie, nga shoqatat e dala të UÇK-së, Xhavit Jashari, theksoi se duke kujtuar Luanin, por edhe Ismail Haradinajn, “nderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës”. Ai thekson se mbi varrin e Luanit është ndërtuar betimi i ushtarit të UÇK-së.
“Sa e kujtojmë Luanin, kujtojmë edhe veprimtarin e madh të çështjes kombëtare, Ismail Haradinaj. Sa kujtojmë Luanin edhe Ismailin, kujtojmë veprimtarët dhe atdhetarët dhe të gjithë ata që kanë bërë dhe kanë dhënë diçka që ne sot të jemi të lirë. Por sot kur kujtojmë Luanin, kujtojmë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare”, theksoi Jashari.
Sot bëhen 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar, shkruan KosovaPress.
Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit prej djemve të familjes Haradinaj.