Shahini: Kriza politike po fundos ekonominë, kërkojmë veprim urgjent

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka shprehur shqetësim ndaj “dështimit të njëmbëdhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve qeverisëse”. “Kjo qasje e papërgjegjshme e partive politike dhe deputetëve po dëmton rëndë jo vetëm imazhin e Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit, por po krijon edhe…

Lajme

05/05/2025 14:35

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka shprehur shqetësim ndaj “dështimit të njëmbëdhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve qeverisëse”.

“Kjo qasje e papërgjegjshme e partive politike dhe deputetëve po dëmton rëndë jo vetëm imazhin e Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit, por po krijon edhe pasiguri të thellë institucionale dhe ekonomike. Bizneset po përballen me pasiguri të madhe, mungesë të stabilitetit politik dhe pamundësi për të planifikuar e zhvilluar aktivitetet e tyre, ndërkohë që investitorët e huaj po hezitojnë gjithnjë e më shumë të angazhohen në tregun tonë: thuhet në reagimin e AKB-së.

Në reagim tutje thuhet se Kosova nuk ka luksin të humbasë kohë. Kjo krizë e zgjatur politike, sipas AKB-së është barrë e rëndë për ekonominë, për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit. “Deputetët dhe liderët politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe morale, të tejkalojnë interesat partiake dhe të veprojnë në interes të shtetit dhe të qytetarëve”.

AKB thotë se kërkon me urgjencë konstituimin e institucioneve dhe kthimin e vendit në binarët e stabilitetit dhe zhvillimit.” Mosveprimi i mëtejshëm do të ketë pasoja të pakthyeshme për ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës si shtet funksional” tha në fund Shahini.