Franca dhe BE-ja përpiqen t’i sjellin në Europë shkencëtarët me bazë në SHBA të goditur nga Trumpi

Franca dhe Bashkimi Europian do t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të tërhequr shkencëtarë me bazë në SHBA, të goditur nga masa e Donald Trump ndaj akademisë, ndërsa përgatiten të shpallin nisma për t’i inkurajuar studiuesit të vendosen në Europë, raporton The Guardian. Presidenti francez, Emmanuel Macron, së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula…

Bota

04/05/2025 18:03

Franca dhe Bashkimi Europian do t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të tërhequr shkencëtarë me bazë në SHBA, të goditur nga masa e Donald Trump ndaj akademisë, ndërsa përgatiten të shpallin nisma për t’i inkurajuar studiuesit të vendosen në Europë, raporton The Guardian.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të mbajnë fjalime të hënën në mëngjes në Universitetin Sorbona në Paris, të rrethuar nga drejtues të universiteteve europiane dhe studiues, ku pritet të shpallin stimuj dhe mbrojtje të mundshme për studiuesit që kërkojnë të zhvendosen në Europë.

Ngjarja, që bashkon akademikë europiajë dhe komisionerë europianë, është përpjekja më e fundit për t’i hapur dyert e Europës për akademikë dhe studiues me bazë në SHBA që ndihen të kërcënuar nga shkurtimet e fondeve federale për universitetet dhe institucionet kërkimore, si dhe nga sulmet ndaj politikave për diversitetin në arsimin e lartë amerikan.

Zyra e Macron tha se kjo lëvizje vjen “në një kohë kur liritë akademike përballen me një numër kërcënimesh” dhe kur Europa “është një kontinent tërheqës”. Një zyrtar i Elysee-s tha: “Ne jemi një hapësirë ku ekziston liria e kërkimit dhe nuk ka tema tabu”. Zyrtari tha se ngjarja ka të bëjë me “afirmimin e Francës dhe Europës si hapësira të qëndrueshme që mund të garantojnë liritë dhe kërkimin akademik”.

Mendohet se Franca është veçanërisht e interesuar të tërheqë shkencëtarë që punojnë në shëndetësi – veçanërisht në sëmundjet infektive – si edhe në kërkime për klimën dhe inteligjencën artificiale.

Ngjarja e së hënës, me titull “Zgjidh Europën për shkencën”, vjen pas një letre të nënshkruar nga 13 shtete europiaje, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Spanjën, drejtuar Komisionit Europian, ku i bëhet thirrje të veprojë shpejt për të tërhequr talentin akademik.

Franca nisi iniciativën e saj “Zgjidh Francën për shkencën” në prill, me një platformë të dedikuar për aplikimet për të pritur studiues ndërkombëtarë.

Ministria franceze e kërkimit i tha agjencisë France-Presse: “Disa studiues të huaj kanë mbërritur tashmë në Francë për t’u njohur me infrastrukturën, duke pritur për fondet dhe ngritjen e platformës”.

Ditët e fundit, qendra kryesore kërkimore shkencore e Francës, CNRS, nisi një nismë të re për të tërhequr punonjës të huaj kërkimi të cilëve u kërcënohet puna, si edhe studiues francezë që punojnë jashtë vendit, disa prej të cilëve “nuk duan të jetojnë dhe t’i rrisin fëmijët e tyre në Shtetet e Bashkuara të Trumpit”, tha presidenti i CNRS, Antoine Petit, për AFP-në.

Në Francë, Universiteti Aix-Marseille nisi programin e tij “Vendi i sigurt për shkencën” në mars. Ai do t’i presë studiuesit e parë të huaj në qershor.

Në një letër drejtuar universiteteve franceze në mars, Philippe Baptiste, ministri francez për arsimin e lartë dhe kërkimin, shkroi: “Shumë studiues të njohur tashmë po vënë në pikëpyetje të ardhmen e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ne natyrisht do të dëshironim të mirëpresim një numër prej tyre”.

Sidoqoftë, mbeten sfida sepse investimi në kërkim në SHBA – përfshirë partneritetet publiko-private – ka qenë prej vitesh më i lartë se në Europë. Prej dekadash, Europa ka qenë prapa SHBA-së në investimet për universitetet dhe qendrat kërkimore.

Studiuesit francezë kanë ngritur vazhdimisht çështjen e pagave më të ulëta dhe kontratave të pasigurta krahasuar me homologët e tyre amerikanë. Mesatarisht, një studiues akademik në SHBA paguhet më shumë se një i tillë në Francë. Sindikatat në Francë kanë kërkuar kontrata më të mira, paga më të mira dhe financim më të mirë në të gjitha institucionet kërkimore.

Disa në Francë shpresojnë që diferenca në paga midis shkencëtarëve në Francë dhe SHBA do të ngushtohet, duke marrë parasysh koston më të ulët të arsimit dhe kujdesit shëndetësor, si dhe përfitimet sociale më bujare në Francë.

Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha muajin e kaluar: “Qeveria amerikane po përdor aktualisht forcë brutale ndaj universiteteve në SHBA, kështu që studiues nga Amerika po e kontaktojnë Europën. Kjo është një mundësi e madhe për ne”.