Sveçla bëri show me aksionin, Supremja liron nga paraburgimi 4 serbët që u arrestuan në Gjakovë gjatë prillit

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka vendosur që ta ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe të lirojë nga paraburgimi katër serbët të cilët ishin arrestuar në fillim të muajit prill në qytetin e Gjakovës. Në vendim të Gjykatës Supreme të publikuar nga gazetari Kreshnik Gashi, thuhet se ndryshohet vendimi i Themelores dhe…

Lajme

01/05/2025 13:43

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka vendosur që ta ndryshojë vendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe të lirojë nga paraburgimi katër serbët të cilët ishin arrestuar në fillim të muajit prill në qytetin e Gjakovës.

Në vendim të Gjykatës Supreme të publikuar nga gazetari Kreshnik Gashi, thuhet se ndryshohet vendimi i Themelores dhe me datën 30 prill është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i katër të arrestuarve, Branko Rakiq, Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Millovan Steviq. Të njëjtit, Supremja thotë se do të mbrohen në liri.

Ky ndryshim i masës dhe lirim nga paraburgimi ka ardhur pasi avokatët kanë bërë kërkesë në supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në fillim të prillit me shumë pompozitet kishte dhënë lajmin se si janë arrestuar dy grupe me serbë, disa në Prizren e disa në Gjakovë. Disa prej tyre ishin liruar menjëherë.

Sveçla pas arrestimit kishte treguar se janë ndaluar 16 persona me katër automjete me targa të Kragujevcit.Sipas Sveçlës, disa prej tyre ishin edhe oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Sveçla kishte deklaruar se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48-orëshe”- kishte thënë Sveçla më 6 prill.

Për katër personat në fjalë, Branko Rakiq, Nemajna Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Millovan Steviq, Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte kërkuar masën e paraburgimit më 7 prill 2025.