KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës-vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një deklarate për media ka thënë se shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive. Në njoftimin e lëshuar për media nga ky institut kanë thënë se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare…

Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një deklarate për media ka thënë se shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive.
Në njoftimin e lëshuar për media nga ky institut kanë thënë se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit. Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare.
Tutje thuhet se çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit.
“KDI fton kryesuesin e seancës, z. Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/