“Me 230 euro nuk mund të jetojmë”, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritjen e pagave
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që paga në sektorin privat të rritet në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe Gjykata e punës. Në një protestë të organizuar nga kjo sindikatë, kryetari i saj Jusuf Azemi tha se nëse nuk do…

Lajme
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që paga në sektorin privat të rritet në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe Gjykata e punës.
Në një protestë të organizuar nga kjo sindikatë, kryetari i saj Jusuf Azemi tha se nëse nuk do të rriten pagat deri me 1 shtator atëherë sektori privat do të bojkotojë punën.
Azemi tha se institucionet shtetërore në vend, punëtorët e sektorit privat i kanë trajtuar si skllevër.
“Kemi ardhur në një shkallë që të kërkojmë kërkesat tona. Në Kosovë po marrim pagë 232 euro, e deputetët për pesë minuta punë në seancë po i marrin 200 euro. E më e keqja nuk po e kryejnë funksionin e tyre. Punëtorët e sektorit privat i keni trajtuar si skllevër dhe një trajtim të tillë nuk ka në Evropë. Ne kemi pasur rezultate por të cilët kanë qenë ato të cilat i kemi shty me gjoks përndryshe nuk keni qenë komunikues të mirë. Edhe sot kemi punëtorë ku paguhen me 232 euro dhe pushtetarët tanë kanë shkuar në Gjermani dhe i thirrnin njerëzit me u kthye në Kosovë për pune. Që nga dita e sotme ne japim një afat deri me 1 shtator nëse paga minimale nuk do jetë 600 euro, ne në mënyrë unanime do t’i bojkotojmë dhe të mos kryejmë punën tonë, nuk po kërkojmë lluks”, tha Azemi.
Ndërsa njëri nga protestuesit, Hakif Sylejmani tha se 1 Maji në Kosovë nuk është ditë pushimi për punëtorët e sektorit privat.
“Do të protestojmë për të drejtat e punëtorëve, parregullsitë dhe për sakrificat e punëtorëve. 1 maj nuk është një ditë pushimi është një ditë pune që ne e rikujtojmë ditën evropiane ndërkombëtare të punëtorëve”, tha Sylejmani.
E Hafije Statovci u shpreh se një pagë prej 230 euro nuk po i len as të “vdesin e as të jetojmë”.
“Për të satën herë në vend, që në ditën e sotme të festojmë, ne duhet që të protestojmë. Për të satën herë njoftuam shtetin dhe personat përgjegjës se ne nuk po mundemi të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë punëtorët e sektorit privat marrin pagë 230 euro kjo pagë nuk po na len të vdesim por as të jetojmë”, u shpreh statovci.
Ndërkaq, sot në orë 12:00 do të protestojnë në sheshin e Prishtinës edhe punëtorët e KEK-ut.