Haliti: Nuk prish punë nëse PDK shkon në takim, problemi është se çfarë përgjigje do t’i jepet Albinit dhe çfarë do të ofrojë ai
Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk prish punë asgjë nëse kryetari i këtij subjekti politik ose kushdo nga kryesia shkon në takimin konsultues të ftuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Halitit problemi qëndron në atë se çfarë përgjigje do t’i jepet Kurtit dhe në atë se çfarë do…

Lajme
Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk prish punë asgjë nëse kryetari i këtij subjekti politik ose kushdo nga kryesia shkon në takimin konsultues të ftuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Sipas Halitit problemi qëndron në atë se çfarë përgjigje do t’i jepet Kurtit dhe në atë se çfarë do të ofrojë ai.
“PDK nuk prish punë nëse shkon në takim kryetari i PDK-së, ose atë që e autorizon kryesia. Problemi është se çfarë përgjigje do t’i jepet Albinit dhe çfarë do të ofrojë ai”, ka thënë Haliti në emisionin “Këndi i Debatit”. Megjithatë, ai e ka konsideruar ftesë jo të ngrohtë letrën për konsultime të kryeministrit në dëtyrë, Albin Kurti drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Për Halitin një ftesë e presidentes Osmani do të ishte shumë më e pranueshme dhe sipas tij do të ndikonte që edhe përgjigjja të ishte pozitive nga të gjithë.
“Eshtë disi jo e ngrohtë ftesa, nuk është e ngrohtë sepse secili subjekt ka integritetin e vet secili kryetar partie ka përgjegjësitë e veta para elektoratit të vet dhe partisë së vet dhe unë do e shihja disi më të pranueshme që të gjitha partitë të shkonin në zyren e presidentes jo që të jetë nikoqire presidentja por të jetë prezente ndoshta do ta kishin më lehtë ta kthenin përgjigjen pozitive dhe të uleshin bashkë. Mendoj që ftesa e presidentes do të ishte shumë më e pranueshme dhe po besoj që edhe përgjigjja do të ishte pozitive nga të gjithë pothuajse”, ka deklaruar ai.