Shpërthimi në veturën e drejtorit të QKUK-së, Vitia: Kushdo që ka provuar të vendosë në sprovë shtetin dhe institucionet e vendit do të dështojë
Ministri i Shëndetësisë në dorëheqje, Arben Vitia ka reaguar pasi sot ka pasur një shpërthim në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdarit. Vitia përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kushdo që ka provuar të vendosë në sprovë shtetin dhe institucionet e vendit do të dështojë, shkruan lajmi.net. “Sulmi…

Lajme
Ministri i Shëndetësisë në dorëheqje, Arben Vitia ka reaguar pasi sot ka pasur një shpërthim në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdarit.
Vitia përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kushdo që ka provuar të vendosë në sprovë shtetin dhe institucionet e vendit do të dështojë, shkruan lajmi.net.
“…Pas nja 1 ore e diçka më njoftuan se ka një shpërthim në parkingun e QKUK-së dhe dolëm e vizituam… ishte një mjet si të thuash shpërthyes në makinën time…
Konsideroj që puna e përditshme për një vit e sa në krye të QKUK meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem, as në të kaluarën, as tash dhe konsideroj se ky akt krejt është i lidhur me detyrën time zyrtare, me punët e mia dhe vendosmërinë për me vendos rregull dhe rend në Qendrën Klinike Universitare dhe ndoshta kjo punë u pengon grupeve të ndryshme të interesit…”, tha ai.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se po hetohet rasti.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë thënë për lajmi.net se është iniciuar rasti për veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe ”Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Prokurori i shtetit dhe Njësitet përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë. /Lajmi.net/