Kushtetuesja mban seancë dëgjimore për kontest pronësor në qendër të Prishtinës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur sot seancë dëgjimore lidhur me çështjen pronësore për parcelën në qendër të kryeqytetit, për të cilën Afërdita Nura-Lama bashkë me motrat e saj po e kërkojnë të drejtën e pronës. Sipas parashtrueseve të kërkesës, atyre po iu cenohet e drejta e pronës, andaj edhe po kërkojnë vlerësim të kushtetueshmërisë…

Lajme
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur sot seancë dëgjimore lidhur me çështjen pronësore për parcelën në qendër të kryeqytetit, për të cilën Afërdita Nura-Lama bashkë me motrat e saj po e kërkojnë të drejtën e pronës.
Sipas parashtrueseve të kërkesës, atyre po iu cenohet e drejta e pronës, andaj edhe po kërkojnë vlerësim të kushtetueshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Parashtrueset e kërkesës Afërdita Nura-Lama, Eufrozina Nura, Diana Nura – Sahatçiu dhe Servete Nura, pretendojnë se për njësinë e banimit u mor vendim brenda tri ditësh nga Komuna e Prishtinës për t’u rrënuar objekti dhe nuk iu dha vetëm atyre leje për rindërtim, me arsyetimin e planifikimit hapësinor.
Në nisje të seancës dëgjimore, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi tha se parashtrueset e kërkesës pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e pronës, siç u shpreh ai “për shkak të refuzimit që kërkesa e tyre të regjistrohet në regjistrin kadastral si bashkëpronare në parcelën kadastrale”, raporton KosovaPress.
“Objekt i kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetueshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme i datës 14 gusht 2023 dhe pretendimeve të parashtruara nga parashtruesja e kërkesës në kërkesën individuale…Parashtrueset e kërkesës pretendojnë se atyre u janë cenuar të drejtat pronës, të drejtat e garantuara me nenin 46 të Kushtetutës së Kosovës për shkak të refuzimit që kërkesa e tyre të regjistrohet në regjistrin kadastral si bashkëpronare në parcelën kadastrale me numër reference 5937-0 në të cilën parcelë, e cila ka ekzistuar objekti kontestues, përkatësisht prona kontestuese. Objekti i banimit në fjalë ka qenë i vendosur në Prishtinë… ku sipas parashtrueseve të kërkesës objekti është dëmtuar rëndë si pasojë e luftës dhe më pas i njëjti është rrënuar nga Komuna e Prishtinës, derisa të njëjtat parashtrueset kanë pasur sipas pretendimeve të tyre të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë në bazë të vendimit të Komisionit të kërkesave pronësore të Kosovës”, tha ai.
Parashtruesja e kërkesës, Afërdita Nura-Lama tha se trashëgimtarja e shtëpisë Melihate Deva-Nura nga Gjykata Komunale në Prishtinë ishte shpallur trashëgimtare e pronës në vitin 2005, por që Themelorja dhe Apeli janë bazuar në një dokument që nuk ka ekzistuar e që i takon vitit 2008.
Nura-Lama thekson se të gjitha shtëpitë përreth asaj prone janë lejuar të rindërtohen përveç shtëpisë së tyre, në të cilën më pas Komuna e Prishtinës ndërtoi parking për vetura.
“Trashëgimtarja e shtëpisë, Melihate Deva-Nura nga Gjykata Komunale në Prishtinë shpallet trashëgimtare e tërësishme e patundshmërisë dhe ky aktvendim është i plotfuqishëm që nga data 31/01/2005. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit bien vendim që, ndër të tjera, bazohen në dokumente in-ekzistues të datës 31.01.2008. Shtrohet pyetja me dashje apo pa dashje keqkuptim, apo qëllim, apo mos ka të bëjë me anashkalimin e vendimit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, unë nuk e di, por me vendime të një pas njëshme vite e vite me radhë shkelet e drejta e pronares Melihate Nura në pronësi prej konstatimit për rindërtim të datës 17.10.2007 nga drejtoria, përkatëse te refuzimi i të njëjtës drejtori, për shkak të rregullimit dhe planifikimit të hapësirës, edhe pse të gjitha shtëpitë përreth janë private dhe janë rinovuar dhe janë rindërtuar, vetëm shtëpia e pronares jo. Shkelje e nenit 46 të Kushtetutës dhe deklaratës së lirive të drejtave të njeriut neni 17”, tha Nura-Lama.
Parashtruesja e kërkesës për kushtetueshmërisë, Afërdita Nura-Lama në gjykatore tha se këto zvarritje nuk do të ndodhnin po të mos ishin të gjitha trashëgimtaret femra. Nura-Lama pretendon se objekti i banimit është rrënuar pa u regjistruar dhe kjo më pas është përdorur si arsyetim edhe nga gjykatat e të gjitha shkallëve.
“Nuk besoj se do të ndodhte kjo zvarritje dhe torturë psikike po që se të gjitha trashëgimtaret të mos ishin femra. Fakt është se asnjë shtëpi tjetër në këtë lagje nuk është zvarritur për realizimin e rindërtimit, e që janë të gjitha këto me leje. Neni 24 i Kushtetutës është i thyer. Kryetari i komunës bie vendim, refuzohet kërkesa për shkak të planit operativ, Qendra 1 që do të realizohen në blloqe ndërtimore duke bërë bashkimin e tokës ndërtimore kjo në vitin 2008, por fakt është se u realizua parkingu i komunës për makina që funksionon sot prapa shtëpisë, e cila u dëmtua rëndë dhe u rrënua… 15’15 Komisioni i kërkesave pronësore sjell vendim grupor Melihate Nura ka të drejtën e posedimit të pronës në fjalë më 2011, asnjë gjykatë nuk e përfilli këtë vendim të gjitha ankesat u refuzuan”, tha ajo.
Zyrtarja e lartë ligjore në Komunën e Prishtinës, Rina Govori thekoi se Komuna e Prishtinë e ka njoftuar palën paditëse se objekti në parcelën në fjalë nuk ekziston. Por, ajo shton se nga komuna është kontestuar pronësia.
Përfaqësuesja ligjore e Komunës së Prishtinës tha se rrënimi ka ndodhur për shkak të rrezikshmërisë së objektit, i cili ka qenë i dëmtuar.
“Gjitha objektet që i përkatësin dhe ka qenë e ngritur në ngastrën nuk ekziston dhe për të njëjtën nuk mund të bëhet identifikimi i njësisë banesore-shtëpi. Komuna e Prishtinës nuk e ka kontestuar pronësinë që e ka fituar pala paditëse në bazë të kontratës të shitblerjes në vitin 1993, dhe të njëjtën e ka pas të regjistruar në bazë të aktvendimit të vitit 1993 në bazë të aktvendimit të gjykatës komunale, mirëpo e njëjta nuk ka mund të evidentohet në certifikatë të pronësisë sepse nuk ka ekzistuar kadastra etazhore deri në vitin 2012. Pastaj, kur ka ardhur në Drejtorinë e Kadastrës për t’u bërë identifikimi banesore, objekti vetëm se nuk ka ekzistuar”, tha Govori.
Nadir Shyqeriu nga Agjencia e Kadastrës e Kosovës tha se për t’u regjistruar një objekt në kadastër, së pari duhet të identifikohet fizikisht në terren. Në rastin konkret, kur gjeodeti i komunës ka shkuar në vendin ku pretendohej se ekzistonte një objekt, ka konstatuar se objekti nuk ekziston më.
“Regjistrimi i objekteve fillimisht duhet të bëhet identifikimi i tyre në terren, në momentin që ka dalë gjeodeti i komunës në terren e ka identifikuar se ajo njësi faktikisht nuk ekziston dhe në bazë të ligjit për kadastër në kohën kur është parashtruar kërkesa tek Agjencioni Kadastral i Kosovës…dhe kërkesa kryesore e ligjit është të bëhet identifikimi dhe kushtimisht duhet matur njësia kadastrale apo objekti me dimensione që ka. Kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet për shkak se, siç u cek, objekti ka qenë i rrënuar në atë kohë, po flasim për vitin 2018-2019 dhe mbi bazën e kësaj Agjencia e Kadastrës e Kosovës e ka refuzuar ankesën e palës dhe nuk mund të evidentohet një njësi kadastrale in-ekzistente”, u shpreh ai.
Nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Veton Demi tha se për këtë objekt banimi në vitin 2007 kanë pranuar kërkesë për të drejtën e pronësisë mbi pronën banesore.
“Zyrtarët e Agjencisë kanë vizituar pronën më 22.01.2008, me qëllim të njoftimit të personave të interesuar për procedurën, e cila është duke u zhvilluar dhe në pronë nuk është gjetur askush dhe prona është gjetur banesë e dëmtuar. Andaj njoftimi ishte lënë në pronë gjatë procedurës dikush ta vërejë… Melihate Nura është pronare më 01.01 të pronës të kërkuar dhe gjithashtu ishte pronare në ditën e dëmtimit të pronës së kërkuar banesore, me këtë vendim nënkuptohet se ka pasur të drejtën dhe posedimin apo të përdorimit të ngastrës, apo për pronaret, të cilat e kanë trashëguar këtë pronë e kanë të drejtën që e kanë trashëguar ”, tha Demi.
Pretendimet e zyrtarit të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës se kanë vizituar këtë pronë në vitin 2008, i hodhi poshtë parashtruesja e kërkesës, Afërdita Nura-Lama. Ajo tha se objekti i banimit në fjalë nuk ka qenë aq i dëmtuar dhe nuk ka paraqitur rrezik.
“Aty nuk ka pasur asnjë rrezik, përveç nëse dikush me vetë dëshirë ka dashur me hy brenda pa leje, pa ndonjë interes personal. Nuk është kjo nuk qëndron dhe nuk qëndron fakti, as telefonata se ‘ishim ne dhe e pamë ne’. Nuk e kanë parë, pasi që ka qenë plani për t’u rrënuar. U rrënua në prill 2015 dhe për tri ditë, hajde u rrëzua”, tha Nura-Lama.
Për palët e përfshira në këtë kontekst pronësor pyetje patën edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Anëtarët e Kushtetueses kërkuan dokumente shtesë brenda një periudhe 7 ditore nga të gjitha palët.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhat Rexhepi tha se vendimi për çështjen do të ofrohet me shkrim për të gjitha palët në ditët në vijim.