SBASHK nuk proteston më 1 Maj, por thotë se është ditë zhgënjimi për punëtorët

Dita ndërkombëtare e punëtorëve, e cila simbolizon sakrificat dhe kontributin e punonjësve anembanë botës, në Kosovë për shumicën e të punësuarve është ditë zhgënjimi, padrejtësie dhe vazhdimësie të shkeljeve të të drejtave themelore. Kështu thuhet në një komunikatë për media të SBASHK-ut, i cili më 2024 organizoi marsh protestues në Prishtinë, duke kërkuar respektimin e…

Lajme

30/04/2025 15:47

Dita ndërkombëtare e punëtorëve, e cila simbolizon sakrificat dhe kontributin e punonjësve anembanë botës, në Kosovë për shumicën e të punësuarve është ditë zhgënjimi, padrejtësie dhe vazhdimësie të shkeljeve të të drejtave themelore.

Kështu thuhet në një komunikatë për media të SBASHK-ut, i cili më 2024 organizoi marsh protestues në Prishtinë, duke kërkuar respektimin e të drejtave, funksionalizimin e dialogut social dhe nënshkrimin e marrëveshjeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare e punës.

SBASHK thotë se Kosova sivjet është përballë një qeverie në largim dhe institucione në ngërç që kanë shtuar krizën dhe se përfaqësimi i punëtorëve në bordet institucionale është uzurpuar nga persona që nuk kanë legjitimitet sindikal, por që shërbejnë interesat e pushtetit.

SBASHK kujton se Këshilli Ekonomik Social nuk është funksionalizuar tash e tri vjet, e cila përbën shkelje të rëndë institucionale, ndërsa Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është nënshkruar tash e më tepër se katër vite, duke lënë pa mbrojtje kolektive mijëra punëtorë.

Kontratat Kolektive Sektoriale injorohen nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, ndërsa kontratat ekzistuese nuk zbatohen, duke i detyruar punëtorët të kërkojnë të drejtat përmes gjykatave.

SBASHK-u thotë se nuk dorëzohen dhe kërkojë nga qeveria e re që të mos injorojë punëtorët.

“SBASHK-u do të mbetet në vijë të parë për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve në Kosovë. Edhe pse, nuk festojmë e nuk protestojmë për këtë 1 Maj, ne kujtojmë me dhimbje ata që humbën jetën në vendin e tyre të punës, viktima të një shteti që nuk mbrojti jetën e tyre, ku mungesa e ligjit, e mjeteve mbrojtëse dhe e dinjitetit në punë i bëri punëtorët të paguajnë me jetë; qeveri, mjaft me heshtje, drejtësia për ta është detyrimi yt sot”, përfundon komunikata.