Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko: Ukraina mund të detyrohet të heq dorë nga një pjesë e territorit për paqe

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka deklaruar se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj, në kuadër të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Deklarata e Klitschko reflekton presionin në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për lëshime territoriale në këmbim të përfundimit të luftës. “Një nga…

Lajme

25/04/2025 12:30

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka deklaruar se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj, në kuadër të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Deklarata e Klitschko reflekton presionin në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për lëshime territoriale në këmbim të përfundimit të luftës.

“Një nga skenarët është… heqja dorë nga territori. Nuk është e drejtë. Por për paqen, ndoshta mund të jetë një zgjidhje”, tha Klitschko për BBC.

Komentet e Klitschko vijnë pas një prej sulmeve më të rënda ruse në Kiev gjatë muajve të fundit, ku 12 persona humbën jetën dhe mbi 80 të tjerë u plagosën. Klitschko, një figurë e njohur në politikën ukrainase dhe ish-kampion bote në boks, është një nga zërat më të lartë që pranon publikisht se mund të nevojitet një kompromis territorial, të paktën përkohësisht, për të arritur paqe.

Ai sqaroi se nuk ka patur diskutime të drejtpërdrejta me presidentin Volodymyr Zelensky mbi këtë çështje. “Presidenti Zelensky e bën vetë. Nuk është funksioni im”, tha ai.

Marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të tensionuara, me Klitschkon që ka akuzuar ekipin e presidentit për përpjekje për të minuar autoritetin e tij në kryeqytet.

Vëmendje të veçantë ka marrë përplasja e muajve të fundit mes Zelenskyt dhe Trump, sidomos pas një takimi të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt. Trump ka kritikuar qëndrimin e palëkundur të Zelenskyt për të mos bërë kompromis mbi Krimenë, duke e cilësuar gadishullin si të “humbur prej vitesh” dhe jashtë çdo diskutimi. Zelensky, nga ana tjetër, ka rikujtuar “Deklaratën e Krimesë” të vitit 2018 nga Mike Pompeo, ku SHBA deklaronte qartë se nuk do ta njihte aneksimin e gadishullit nga Rusia.