Koci thotë se Neni 67 po e bllokon konstituimin e Kuvendit – por çka thotë ky nen?
Gazetari dhe opinionisti Milazim Koci, ka thënë se Neni 67 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës po e bllokon konstituimin e Kuvendit. “Është evidente që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën, dhe fatkeqësisht, mjerisht, Neni 67 në Kushtetutën e Kosovës e bllokon situatën, sepse i jep të drejtën vetëm partisë së parë. Kjo nuk është…

Lajme
Gazetari dhe opinionisti Milazim Koci, ka thënë se Neni 67 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës po e bllokon konstituimin e Kuvendit.
“Është evidente që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën, dhe fatkeqësisht, mjerisht, Neni 67 në Kushtetutën e Kosovës e bllokon situatën, sepse i jep të drejtën vetëm partisë së parë. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk është demokratike, sepse praktikisht opozitës është duke iu mohuar e drejta për të dëshmuar se e kanë shumicën”, deklaroi Koci në “Speciale” në Klan Kosova.
Por, çka thotë Neni 67?
Neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]
- Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.
- Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.
- Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
- Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës të Kuvendit.
- Kryetari i Kuvendit:
(1) përfaqëson Kuvendin;
(2) përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat;
(3) nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi;
(4) ushtron edhe funksione të tjera, në bazë të kësaj Kushtetute dhe Rregullores së Punës të Kuvendit.
Në rast mungese ose pamundësie për të ushtruar funksionin, Kryetarin e Kuvendit e zëvendëson njëri nga nënkryetarët.