​Avionët luftarakë britanikë përcjellin avionët rusë në kufirin e NATO-s

Aeroplanët luftarakë britanikë Typhoon janë nisur në fluturim dy herë brenda 48 orëve për të përcjellë aeroplanët ushtarakë rusë dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s. Avionët britanikë u desh të niseshin për fluturim në dy situata këtë javë pasi avionët ushtarakë rusë iu afruan kufijve të NATO-s, duke shkaktuar një alarm, transmeton Telegraph.…

Bota

20/04/2025 16:25

Aeroplanët luftarakë britanikë Typhoon janë nisur në fluturim dy herë brenda 48 orëve për të përcjellë aeroplanët ushtarakë rusë dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s.

Avionët britanikë u desh të niseshin për fluturim në dy situata këtë javë pasi avionët ushtarakë rusë iu afruan kufijve të NATO-s, duke shkaktuar një alarm, transmeton Telegraph.

Incidenti ndodhi në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump tregoi shenja padurimi me Vladimir Putin dhe kërcënoi të tërhiqej nga bisedimet e paqes në Ukrainë.

Qeveria britanike planifikon t’i nënvizojë këto incidente si dëshmi të mëtejshme të kërcënimit në rritje rus në një përpjekje për të bindur SHBA-në që të mos zvogëlojë praninë e saj ushtarake në Evropë.

Kjo është hera e parë që forcat ajrore janë aktivizuar si pjesë e Operacionit Chessman, një mision i ri i NATO-s që synon forcimin e mbrojtjes ajrore të Evropës.

Të martën, dy avionë britanikë, të vendosur në bazën ajrore Malbork në Poloni, u ngritën për të kapur një avion zbulues rus mbi Detin Baltik.

Më pak se 48 orë më vonë, një palë tjetër avion britanik u desh të fluturonte për të kapur një avion të paidentifikuar që ishte nisur nga enklava ruse Kaliningrad, e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.

Sekretari i Mbrojtjes Luke Pollard tha për Telegraph se Britania e Madhe është e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj NATO-s.

“Përballë agresionit në rritje rus dhe një kërcënimi në rritje të sigurisë, ne po shtojmë aktivitetet tona për të ofruar siguri për aleatët, për të penguar kundërshtarët dhe për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare përmes një agjende ndryshimi. Ky mision demonstron aftësinë tonë për të vepruar krah për krah me anëtarin më të ri të NATO-s, Suedinë, dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të Aleancës kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme, duke mbrojtur sigurinë në vend dhe duke forcuar pozicionin tonë jashtë vendit”, tha ai.

Avionët, të cilët janë pjesë e një flote prej gjashtë Typhoon, u vendosën në Poloni vetëm tri javë më parë si pjesë e një operacioni mbrojtës me Forcat Ajrore Suedeze. Ndryshe, ata janë të stacionuar në bazën RAF Lossiemouth në Skoci, dhe në këtë mision shoqërohen nga rreth 200 pjesëtarë të ushtrisë britanike.