Prokuroria Speciale kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit që sulmoi KFOR-in në Zveçan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Millosh Antoviq, i cili dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-i në Zveçan. Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e PSRK-së. “Ju informoj se prokurori i çështjes për të cilën keni pyetur,…

Lajme

16/04/2025 15:48

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Millosh Antoviq, i cili dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-i në Zveçan.

Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e PSRK-së.

“Ju informoj se prokurori i çështjes për të cilën keni pyetur, ka pashtruar kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarit M.A”, ka thënë Kozmaqi.

Lidhur me këtë dje, Prokuroria Speciale, kishte njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është ndaluar Millosh Antoviq, nën dyshimin për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, ‘’Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’’, ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi’’, ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’, e dy vepra tjera penale.

“I njëjti dyshohet se me veprimet e tij ka kryer veprat penale: “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese’’ nga neni 127 par.2 lidhur me nenin 114 par.2 të KRPK-së; ‘’Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’’ nga neni 167 par.5 lidhur me nenin 31; ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi’’, nga neni 404 par.2 lidhur me nenin 31, veprën penale ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’, nga neni 402 par.4 lidhur me nenin 31, ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotropike dhe analoge’’ nga neni 267 par.1 dhe ‘’Mbajtja ne pronesi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armve’’ nga neni 366 par.1 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin për media të PSRK-së.

Ndryshe PSRK bëri të ditur se pas ndalimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit në vendbanimin e tij në cilësinë e provave materiale u sekuestrua substancë narkotike, pushkë ajrore e gjësende të tjera.

Po ashtu për këtë dje reagoi edhe ministri në detyrë  i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Përmes një njoftimi në Facebook, ai thotë se asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin kushtetues, punën e institucioneve të Kosovës, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar.

“Arrestohet edhe një nga terroristët që dhunshëm sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, disa prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme. Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar. Mbi ta do të veprohet pa asnjë kompromis siç presim që edhe drejtësia të veprojë në linjë të tillë. Republika jonë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë zonë e rehatisë për kriminelë e terroristë”, shkroi Sveçla.

Ndërkaq sulmi ndodhi në maj të vitit 2023, ku të lënduar mbetën 93 ushtarë. /Lajmi.net/