Gërvalla takon homologun danez, flasin për procesin e integrimit evropian
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u takua me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, në një takim miqësor që konfirmoi partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për rrugën evropiane të Kosovës. Siç njofton MPJD, ministrja në detyrë Gërvalla e informoi homologun…

Lajme
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u takua me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, në një takim miqësor që konfirmoi partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për rrugën evropiane të Kosovës.
Siç njofton MPJD, ministrja në detyrë Gërvalla e informoi homologun danez se procesi i integrimit evropian të Kosovës nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i status quo-së politike dhe kërkoi mbështetjen aktive të Danimarkës në këtë drejtim, veçanërisht në prag të marrjes nga Danimarka të Presidencës së radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian në korrik 2025.
“Danimarka ka një mundësi historike për të luajtur një rol vendimtar në zhbllokimin e statusit të kandidatit për Kosovën. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe është e gatshme të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE,” citohet Gërvalla në komunikatë.
Më tej thuhet se një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Ministrja Gërvalla theksoi se tani është momenti i duhur për të përmbyllur këtë proces, duke e konsideruar jo vetëm si një çështje politike, por si një hap konkret në përkushtimin për vlerat e përbashkëta evropiane.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një mesazh i qartë për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë, fusha ku Kosova është e përkushtuar të japë kontributin e saj të plotë,” deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla dhe Ministri Rasmussen vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sundimin e ligjit, inovacionin, arsimin dhe energjinë e gjelbër.
Në përfundim të takimit, Ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar ura të forta me aleatë që ndajnë vlerat demokratike dhe që besojnë në të ardhmen e saj evropiane.