Zejnullahu: Tarifat e reja me 16.1 për qind që nga 1 maji deri më 31 mars 2026
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorët. Në mbledhjen e radhës, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e…

Lajme
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorët.
Në mbledhjen e radhës, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.
Udhëheqësi i Departamentit të Tarifave në ZRRE, Muharrem Gashi kërkoi nga bordi që të shqyrtojë dhe miratoi tarifat me pakicë të energjisë elektrike me rritje prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
“Lus bordin që ta shqyrtojë dhe miratojë tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë furnizim dhe shërbimi universal që të furnizohen që nga data 1 maj 2025 me rritje lineare prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, tha Gashi.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë, janë dy kategoritë që do të furnizohen me tarifat e reja prej 16.1 për qind që nga 1 maji i këtij viti.
“Konstatoj që me pesë vota për aprovohen tarifat me pakicë për konsumatorët me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar. Gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit me obligim të shërbimit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm”, potencoi Zejnullahu.
Ndërkaq, pas miratimit të kësaj pike, Zejnullahu kërkoi që seanca të vazhdojë e mbyllur, për shkak siç tha ai të mbrojtjes së privatësisë së konsumatorëve.
“Meqenëse pikat e radhës kanë të bëjnë me shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve e konsideroj që kjo seancë e hapur të kalojë në seancë të mbyllur, për shkak të privatësisë ose mbrojtjes së privatësisë së konsumatorëve, në këtë rast ankesave të konsumatorëve, kishim kaluar në seancë të mbyllur”, tha Zejnullahu.
Ndër të tjera, sipas rendit të ditës, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratuar, tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT) – të cilat përcaktojnë koston për transmetimin e energjisë elektrike përmes rrjetit të Operatori të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten e 11 prillit bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.
Të premten, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRrE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës. Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje.
Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.
Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.